2006-12-20 17:24:14

Sot u kremtua Dita e parë ndërkombëtare e solidaritetit njerëzor.


(20.12.2006 RV) Është themeluar nga OKB-ja për të nënvizuar rëndësinë e solidaritetit e, posaçërisht, për zhdukjen e varfërisë. Nisma, e propozuar nga ish-presidenti polak Leh Valesa, themelues i Solidarnosh, ka për qëllim të inkurajojë një debat të frytshëm mbi arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit. – Solidariteti – ka thënë Valesa - është e vetmja mundësi logjike për të përballuar me sukses sfidat e sotme, si uria, epidemitë, shpërndarja e pabarabartë e burimeve materiale dhe terrorizmi. Por, si zhvillohet, në një botë të kërcënuar nga kaq shumë rreziqe, beteja e solidaritetit kundër varfërisë. Përgjigjet me telefon nga Nju Jorku, koordinatorja për Evropën e Fushatës së Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, Marina Ponti:- Është një betejë e vështirë, por ecën përpara me shumë forcë. Vendet më të varfëra të botës, si Mozambiku për shembull, po bëjnë shumë për të lehtësuar peshën e varfërisë e sidomos, për të frenuar epidemitë më të rënda si SIDA. Por ka edhe vende të pasura që luftojnë në vijë të parë të frontit kundër varfërisë përmes furnizmit me burime. Kujtojmë se tetë objektivat, që u nënshkruan nga 189 presidentë në vitin 2000, mund të realizohen vetëm në se secili e kryen si duhet detyrën e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.