2006-12-19 17:24:00

Polemika për Shpellën e Betlehemit, por myslimanët nuk kundërshtojnë.


(19.12.2006 RV)RealAudioMP3 Të djelën e kaluar Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan ishte plot me fëmijë e të rinj. Mbanin ndër duar shtatore të Krishtit Fëmijë të të gjitha madhësive e formave. I kishin sjellë nga shtëpitë për t’i bekuar. E Papa, si i bekoi, i përshëndeti fëmijët me fjalët:
Të dashur fëmijë, para Shpellës së Betlehemit, luteni Jezusin edhe për ndjetet e Papës! Ju falënderoj dhe ju uroj gëzuar Krishtlindjen!”.
Në familjet e krishtera të mbarë botës, sipas një tradite të lashtë, që nis me Betlehemin e parë të Shën Françeskut në Greçio, ndërtimi i Shpellës së Beltehemit e, pranë saj, edhe Bredhit të Krishtlindjes, ka filluar që në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. E tani Shpellat e Betlehemit janë gati. Ndër to janë vendosur të gjitha simbolet: Zoja e Shën Jozefi, kau e gomari, barinjtë e grigjët e tyre, uji e zjarri. Vetëm grazhdi është ende i zbrazët. Mbi kashtën e tij, në mesnatën e Krishtlindjes, do të lindë një fëmijë: është Krishti që lind në kashtë e ndër zemra, Mesia, që vjen të mbushë me gëzim jetën e familjeve të krishtera.
Këtë traditë ka ndjekur prej shekujsh bota e krishterë. Po sot Shpella e Betlehemit dhe shumë simbole të tjera, që na kujtojnë gëzimin e Krishtlindjes, kanë nisur të vihen në diskutim. Madje kjo ngjet pikërisht në shoqëritë tradicionalisht të krishtera. Atëherë, në mënyrë të natyrshme, lind pyetja: ‘Si ta rizbulojmë vlerën e Shpellës së Betlehemit dhe të simboleve të tjera, nga të cilat buron gëzimi i Krishtlindjes, i Foshnjës që vjen për të këndellë shpirtrat e njerëzve? Pyetëm për këtë imzot Diego Koletin, ipeshkëv i Livornos e kryetar i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore italiane për edukimin katolik, shkollën dhe universitetin:
Përgjigje: - Unë besoj se vlera e Shpellës së Betlehemit, përmes së cilës rikrijohet simbolikisht ngjarja e madhe e Mishërimit të Birit të Hyjit, është një rast që nuk duhet humbur, si ndër Kisha e ndër famulli, ashtu edhe ndër shkolla e në familje. Kujtoj një familje që e ndërtonte Shpellën e Betlehemit gjatë nëntë ditëve parapërgatitore të Krishtlindjes, duke shtuar çdo natë një shtatore ose një objekt: kështu çdo natë familja jetonte një çast të ri, një çast të bukur. E nuk duhet harruar se kjo është një nga format e katekizmit.
Pyetje: - Imzot Koleti, kohët e fundit kujtojmë disa episode të kronikës si dhe vendimin e disa qëndrave të mëdha tregtare italiane për të mos i vënë më në shitje shtatoret e Shpellës së Beltlehemit. E natyrisht kjo nxiti menjëherë polemiken. Disa nga qendrat tregtare u përgjigjen se shtatoret nuk u shiteshin, të tjerat, se nuk mund t’i ekspozonin, për të mos fyer islamikët....
Përgjigje: - Unë besoj se, në qoftë se shkaqet janë thjeshtë komerciale, nuk mund të mos çuditem sesi pikërisht ky tip malli nuk u shitka, ndërsa mallrat tjera, kur reklamohen, shiten menjëherë. Nuk mund ta besoj, pra, se kemi të bëjmë thjeshtë me shkaqe tregtimi. Pastaj, në se unë ftoj për drekë një mik japonez e me të vjen edhe një mik tunizian e një tjetër nga Alaska, ç’duhet të bëj? Thua duhet t’i përgatis secilit gjellët e veta tradicionale? Apor është krejt e natyrshme që ata të gjejnë në sofrën time gjellë tipike për kulturën e vendit tim, bashkë me dhuratën tradicionale e, natyrisht, edhe me mikpritjen më të ngrohtë? Kështu është edhe në rastin e simboleve të kulturës së krishterë. Nuk mund e nuk duhet të mungojnë në një festë të tillë si Krishtlindja, me të cilën lind krishtërimi, që i ka dhuruar e vijon t’i dhurojë letërsisë e artit botëror kryevepra të jashtzakonshme, mrekullisht të bukura, të cilat e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Atëherë, a është e natyrshme të heqim dorë prej këtyre mrekullive?
Pyetje: - Shpella e Betlehemit mund të jetë edhe element dialogu me fetë tjera?
Përgjigje: - Mjafton të mendojmë mbi domethënin e fjalës dialog. Fjala dialog ka kuptimin e shkëmbimit të mendimeve ndërmjet dy njerëzve. Por në qoftë se dy vetëve që duan të shkëmbejnë mendime u duhet të heqin dorë nga identiteti i tyre, për të realizuar dialogun - e këtu paradoksi - se heqim dorë vetëm neve – atëherë nuk mund të bëhet më fjalë për dialog, dialogu zhduket. Nuk duhet menduar se sa më pak të krishterë të jemi, aq më mikpritës bëhemi e aq më të aftë për dialog. Përkundrazi: sa më shumë të krishterë të jemi, aq më me pasion do ta mbrojmë të vërtetën që e kemi gjetur në Ungjill e në Jezusin, e aq më të gatshëm do të jemi për të mirëpritur, për t’u ballafaquar e për të mësuar përvujtërisht nga takimi me kultura të tjera e me njerëz të tjerë.
E me qënë se polemikat që kanë lindur për shkak të ndalimit të këngëve të Krishtlindjes e të Shpellave të Betlehemit ndjehen edhe në vende të tjera, të njohura për traditë të krishterë, mbi këto ngjarje ndërhyu edhe zevendës-drejtori i gazetës së njohur italiane ‘Corriere della Sera’, Magdi Allam, mysliman, i cili në një artikull të gjatë, botuar në gazetën e tij, pohon: “Ne myslimanët e pranojmë Shpellën e Betlehemit. Krishtlindja i bashkon të krishterët me myslimanët. Për Islamin – shkruan Magdi Allam – figura e Jezusit dhe e Marisë janë shumë të rëndësishme e kujtohen disa herë në Kuran. Prandaj nuk më duket e çuditshme që fëmijët myslimanë të këndojnë këngët e Krishtlindjes. Të mos e përdorim, pra, praninë e myslimanëve në Itali për të fituar një betejë laiciste, që s’ka të bëjë fare me ne e që madje na dëmton.
Nuk është i bindur për këto ngjarje as Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, që shprehet kështu në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: Besoj se të gjithë duhet ta kenë të qartë se kemi të bëjmë me një pretekst. Thuhet se bëhet për të mos fyer islamikët, por në të vërtetë kjo ndodh sepse këto simbole nuk i pëlqejnë një farë laicizmi. Myslimanët janë të parët që protestojnë kundër këtij qëndrimi, në dëm të kauzës së tyre, sepse në Kuran gjejmë një faqe mrekullisht të bukur e poetike për lindjen e Krishtit. Për fat lajmet e kronikës flasin për qëndrimet kundër Shpellës së Betlehemit, por edhe për reagimet që pasojnë, duke u bërë kështu qesharake. E pikërisht në ‘Corriere della Sera’ botohet artikulli i zëvendës-drejtorit të së përditshmes, mysliman, i cili arrin të thotë se nuk është mysliman ai që nuk e beson lindjen e mrekullueshme të Jezusit të Nazaretit e madje shton edhe se shumë myslimanë kanë dëshirë ta bëjnë Shpellën e Betlehemit ndër shtëpitë e tyre. Është, pra, krejtësisht e qartë se kemi të bëjmë me një fushatë që përdoret për qellime të tjera e nuk ka të bëjë fare me islamikët.
Pyetje: - Mund të themi, pra, se islamikët nuk kanë kurrfarë kundërshtimi që të krishterët ta bëjnë Shpellën e Betlehemit ndër shtëpitë e ndër vendet publike?Përgjigje: - Po kjo tashmë u bje në sy të gjithëve. Edhe Magdi Allam, që është shkrimtar shumë i njohur, thotë se edhe ai vetë dëshiron të bëjë Shpellën e Betlehemit në shtëpinë e vet e se duhet t’i jepet fund deformimit të fakteve, sepse një deformim i tillë s’bën tjetër, veçse ta dëmtojnë bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.