2006-12-19 17:21:48

Paqe, demokraci, zhvillim ekonomik e promocion njerëzor: këtë kërkon Papa në një mesazh drejtuar Konferencës së Nairobit.


(19.12.2006 RV)RealAudioMP3 “Negociatat e dialogu janë e vetmja alternativë njerëzore për luftën”: këtë nënvizon Benedikti XVI në një mesazh, nënshkruar nga kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone, drejtuar presidentit të Kenias, Mwai Kibaki, me rastin e Konferencës së dytë ndërkombëtare mbi Zonën e Liqeneve të Mëdha, që u mbajt këto ditë në Nairobi. Selia e Shenjtë mori pjesë në këtë takim të rangut të lartë me një delegacion të kryesuar nga i dërguari i posaçëm, imzot Luigji Travaljino dhe nga nunci apostolik në Kenia, imzot Alen Pol Lebopë.
“Të panumërt janë banorët e Zonës së Liqeneve të Mëdha, që kanë vuajtur tepër e për një kohë shumë të gjatë”: këtë kujton Benedikti XVI, i cili i fton udhëheqësit politikë të zonës së martirizuar afrikane t’i venë në jetë zotimet që morën dy vjet më parë në Dar-es-Salam. E me këtë rast – kujton Ati i Shenjtë - u nënshkrua edhe një Deklaratë, e përqëndruar në 4 aspekte themelore: paqe, demokraci, zhvillim ekonomik, promocion njerëzor e shoqëror. Në mesazhin papnor ripohohet se katër elementet duhet të mbështesin njëri-tjetrin. Këto objektiva – vijon dokumenti – mund të arrihen me bujari, guxim e këmbëngulje si nga ana e autoriteteve, ashtu edhe e nënshtetasve.
Papa siguron se Kisha katolike do të vijojë të impenjohet për paqen, duke bashkëpunuar me besimtarët e feve të tjera dhe me gratë e burrat vullnetmirë . E më pas shton: “Duke u impenjuar me përgjegjësi në jetën publike, katolikët do ta shprehin qartë dashurinë e tyre vëllazërore”. Benedikti XVI uron, më pas, që udhëheqësit politikë të marrin masa për t’i dhënë fund dhunës. E kjo, sepse në Zonën e Liqeneve të Mëdha koha e çmuar, energjitë e burimet janë përdorur për konflikte të armatosura, që kanë mbjellur kudo shkatërrim e vdekje. Në përfundim të mesazhit, Papa shpreh bindjen se mbi bazën e paqes të qëndrueshme e të vërtetë, Zona e Liqeneve të Mëdha, e mbështetur në burimet e veta njerëzore e natyrore si edhe në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do t’i kapërcejë vështirësitë aktuale e do t’u ngjallë njerëzve të vet shpresat për një ardhmëri dinjitoze.







All the contents on this site are copyrighted ©.