2006-12-18 19:51:22

Armëpushim ndërmjet Hamasit dhe Al Fatahut në Rripin e Gazës, mbahet me vështirësi


(18.12.06. RV) Kryeministri britanik Toni Bler, ndodhej sot në Lidnjen e Mesme, si në Territoret Palestineze, ashtu edhe në Izrael. Pas takimit me presidentin palestinez Abu Mazen, Bler i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ta mbështetur Abu Mazenit në rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat ai i shpalli të shtunën e kaluar. Nga ana e tij, presidenti palestinez kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të heqë “rrethimin financiar”, siç e quajti, nga Territoret.
Ndërkaq, vendi përjeton një tërmet politik, pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, me të cilat nuk është dakord organizata islamike Hamas, që ka deklaruar sot se nuk do të marrë pjesë. Kryeministri Hanijeh, lider i Hamasit, i ka cilësuar ato si “jo kushtetuese” dhe si rrugë drejt “luftës civile”. Gjithsesi, mbrëmë është vendosur një armëpushim ndërmjet Hamasit dhe Al Fatahut në Rripin e Gazës, që mbahet me vështirësi. Por cila është gjendja në Territoret Palestineze. Pyetëm Rojtarin e Tokës Shenjte, at Pierbatista Picabala:
Situata është shumë e nderë, shumë e vështirë, e rëndë, sidomos në Rripin e Gazës; është diçka më pak e rëndë në Cisjordani. Jemi në një moment shumë kritik, pa perspektiva të qarta. Në këtë moment, është shumë e vështirë të thuhet nëse do të qetësohet situata. Të gjithë shpresojnë e thonë: “Jo, pa dyshim nuk do të keqësohet, sigurisht do të gjendet një zgjidhje”. Por atmosfera është me të vërtetë shumë shumë e nderë; është keqësuar shumë.
Cili është problemi kryesor që duhet zgjidhur?
Ka shumë gjëra që duhen zgjidhur! Besoj se, para së gjithash, krerët duhet të kenë më shumë ndikim, më shumë guxim dhe ta qetësojnë popullsinë, të përpiqen të arrijnë në një marrëveshje. Besoj se kjo është pika më e vështirë.
Izraeli e mbështet presidentin Abu Mazen. Po a është në gjendje presidenti palestinez ta zgjidhë këtë krizë?
Kushdo – si presidenti, ashtu edhe Hamasi – vetëm nuk mund ta kapërcejnë krizën. Duhet një marrëveshje ndërmjet të dyve, të paktën për të fituar kohë; është i nevojshëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos duhet zhbllokuar gjendja katastrofike ekonomike.







All the contents on this site are copyrighted ©.