Krishtlindje në Vatikan: Bredhi vjen nga Kalabria, Shpella e Betlehemit rregullohet
nga Trentino
(17.12.2006 RV)Sheshi i Shën Pjetrit po zbukurohet përsëri me Shpellën e Betlehemit,
që është në përfundim e sipër dhe me Bredhin e Krishtlindjes, simbol i Parajsës, që
tashmë është ngritur pranë obeliskut dhe po stoliset me drita. Dritat do të ndizen
më 20 dhjetorin e ardhshëm nga kryetari i zonës së Kalabrisë, Agazio Loiero, gjatë
një ceremonie festive plot vezullime e këngë. Vijon kështu një traditë e nisur
nga Papa Gjon Pali II që në vitin 1982. Në të majtën e Bredhit, ngrihet Shpella
e Betlehemit, që sivjet zë një sipërfaqe 400 metrash katrore dhe është studiuar në
mënyrë të tillë, që të bjerë menjëherë në sy qysh nga kreu i Rrugës së Pajtimit dhe
të shihet nga çdo skaj i Sheshit të Shën Pjetrit. Shpella e sivjetme e Betlehemit
të kujton një peizazh tipik palestinez, dmth viset e shenjta ku lindi Krishti. Është
projektuar duke pasur parasysh fjalët e Shën Lukës ungjilltar, që shkruan se Krishti
lindi në një grazhd, të ndërtuar në pjesën e prapme të një hani. Në tekstin grek,
Shën Luka e quan vendin e lindjes së Krishtit ‘kataluma’ që do të thotë han, prandaj
Shpella e sivjetme e Betlehemit, që ka në qëndër Krishtin Fëmijë me Zojën e Shën Jozefin
në të dy krahët, është vendosur nën një çadër të mbështetur pas shkëmbit dhe të kujton
shpellat-stalla tipike të kodrave të Betlehemit. Si çdo vit në të dy anët e skenës
dallohen uji e zjarri, simbole të krishtera. Uji gurron nga kroi, simbol i burimit
të jetës. Zjarri digjet në një oxhak aty pranë, duke simbolizuar vetë jetën, dritën
e ngrohtësinë që burojnë nga Jezusi. Skena pasurohet me 17 personazhe, 9 nga të cilat
janë origjinale e vijnë nga Shpella e Betlehemit ndërtuar më 1842 prej Shën Vincenzo
Pallotit në Kishën romake Sant’ Andrea della Valle, ndërsa të tjerat janë shtuar gjatë
vitesh. Sivjet vendosja e shtatoreve do të realizohet nga « Miqtë e Shpellës së Betlehemit »
të Tezeros, qëndër e vogël në Trentino, me një traditë të pasur për krijimin e Shpellave
të Betlehemit.