2006-12-15 17:19:30

Predikimi i parë i Kohës së Ardhjes në praninë e Benediktit XVI.


(15.12.2006. RV)RealAudioMP3 Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore propozoi një meditim mbi vajin e gëzimin.
“Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen”: mbi këtë lumni u mbështet predikatari për meditimin e parë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në praninë e Atit të Shenjtë, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në Vatikan.
Sot Lumnitë duhen lexuar në dritën e situatave të reja, në të cilat jetojmë – tha Atë Kantalamesa, e vaji i të vuajturve në ditët tona është ai i cili buron nga ligështia që provohet përballë pyetjes: ‘Ku është Zoti yt?’, dhe nga refuzimi sistematik i Krishtit e i fesë, në emër të kërkimit historik objektiv që, në disa forma, reduktohet në subjektivizëm:
“Epoka jonë, e pushtuar nga ideja e seksit, s’ka si të mendojë për Krishtin, e zënë siç është me problemet sentimentale. Po asistojmë rikthimin e flakës së ateizmit luftarak e agresiv me markë shkencore, ose më mirë të themi, shkencistike. E kjo për arsye se prova e ekzistencës së Zotit nuk gjindet ndër librat, as ndër laboratoret e biologjisë, ku e kërkojnë këta vëllezërit tanë, por në jetë. Në jetën e Krishtit, para së gjithash”.
E ekzistenca e Zotit – vijoi Atë Kantalamesa, dëshmohet edhe në jetën e shenjtorëve e të dëshmitarëve të panumërt të fesë. E vërtetohet edhe ndër mrekullitë që kreu Jezusi, si provë të së vërtetës së tij, provë që Zoti vijon ta japë, por që ateistët e flakin, pa marrë fare mundimin ta shqyrtojnë:
“Asistojmë në garën e atyre që përpiqen të paraqesin një Krisht, që i shkon për shtat njeriut të sotëm, duke e zhveshur nga çdo veti e mbinatyrshme. Një Jezus që propagandon ide morale, dije të kollajtë, me karakter sociologjik, jo teologjik. Jezusi është çliruar jo vetëm nga dogmat e Kishës, por edhe nga Shkrimet Shenjte e nga Ungjilli! Atëherë cilat janë burimet që mbeten për të folur për Të, që të mos kthehet thjeshtë në fantazi? Natyrisht, apokrifet!
E të vjen të qash kur mendon – shtoi rregulltari kapuçin – se për t’iu kundërvënë ligjit të Zotit, zgjidhet kënaqësia e çrregullt, që pastaj kthehet kundër vetë njeriut, sepse është kalimtare në vetvete e shumë shpejt ngjall mërzi e lodhje. Pastaj predikatari i Shtëpisë Papnore vijoi:
Kisha ka qarë e pshterëtirë, kohët e fundit, për sjelljet e neveritshme të disa prej ministrave e barinjve, në vetë gjirin e saj. Ka ardhur koha të bëjmë atë që është më e rëndësishmja: të qajmë me lot për faqe para Zotit, të vuajmë thellësisht, ashtu si vuan Hyji. Vetëm kështu nga gjithë kjo e keqe, mund të vijë e mira. Megjithatë është për t’u theksuar diçka që këta vëllezërit tanë fatzinj duhet ta kishin shmangur pa tjetër: shfrytëzimin e zhurmës për të nxjerrë përfitime nga mëkati i tyre, duke dhënë intervista, duke shkruar kujtime e duke bërë që faji i tyre të bjerë mbi eprorët ose mbi bashkësitë kishtare”.
Mund të qash nga dhimbja, por edhe nga emocioni – vijoi Atë Kantalamesa; në të vërtetë lotët më të bukur janë ata që mbushin sytë kur - të ndriçuar nga Shpirti Shenjt – shijojmë e shikojmë sa i mirë është Zoti:
“Mendoj se lot të këtij tipi duhet të kenë rrjedhur nga sytë e Shën Agostinit, kur shkruante në “Rrëfimet” e tij: “Aq shumë na deshe, o Atë i Mirë, sa nuk e kurseve Birin tënd të vetëm, por na e dhurove ne të gjithëve! Sa fort na deshe!”Kështu, pra – përfundoi predikatari kapuçin – në rendin e ri të propozuar nga Jezusi, fjalën e fundit nuk e ka vuajtja, por gëzimi i një jete të mbushur përplot me Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.