2006-12-14 17:56:07

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Gjonin e Kryqit.


(14.12.2006 RV)Duhet të ketë lindur rreth vitit 1540 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’ ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetrin për të fituar bukën e gojës, duke marrë kudo me vete edhe jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës. Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën e rëndë që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar. Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga eprori i përgjithshëm lejën për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues, të cilët më pas u quajtën “të zbathur”, me qëllim që t’u ndihmonin rregulltareve në shtëpitë që drejtonte. Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit të Zotit të Mishëruar në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më pas u ngarkua gabimisht me një faj që nuk e kishte bërë e kaloi tetë muaj në burg. E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet kryeveprave më të njohura të lirikës.
Iu desh, pra, të mbarte kryqin, që u bë pjesë e pandarë e emrit të tij. E ishin pikërisht vuajtjet, që e ndihmuan të zbulonte misterin e Kryqit dhe të ecte në rrugën e kundrimit më të lartë e të jetës mistike. Etapat e kësaj jete i përshkroi në veprat e teologjisë shpirtërore, të cilën Kisha e konsideron si doktrinë të sigurtë për të gjithë besimtarët e saj. Ja disa nga titujt: “Ngjitja në malin e Karmelit”; “Nata e errët e shpirtit”; “Këngë shpirtërore”, “Flakë e gjallë dashurie”. Ai e pa thelbin e Kishës në bashkimin e saj jetik me Krishtin, i cili është përherë i pranishëm e veprues në Kishë
Gjoni i Kryqit vdiq në moshën 49 vjeçare ndërmjet 13 e 14 dhjetorit të vitit 1591 në Ubedë.







All the contents on this site are copyrighted ©.