2006-12-14 18:06:17

Paqe e drejtësi për mbarë botën: këtë kërkoi sot Papa, duke pritur gjashtë ambasadorë të rinj.


(14.12.2006 RV)Një thirrje e re për paqen në fund të një viti të gjakosur nga luftërat që nuk kanë pushuar në shumë vise të botës. E bëri sot Papa, duke pritur në audiencë për paraqitjen e letrave kredenciale, ambasadorët e rinj të Sirisë, Danimarkës, Kirkizistanit, Mozambikut, Ugandës e Lesothos.
Edhe këtë vit – theksoi Shenjtëria e Tij – konflikte të shumta kanë tronditur kontinente të ndryshme, ndërsa vatra tensioni vijojnë të ndizen në dëm të popullsive vendase, duke shaktuar një numër të madh viktimash të pafajshme. Është një situatë – pohoi Benedikti XVI – që rrezikon mbijetesën e disa popullsive dhe bën të rëndojë gjithnjë më shumë mbi kurrizin e të varfërve pesha e padurueshme e vuajtjes dhe e mungesës të të mirave më fillestare materiale. Papa i ftoi udhëheqësit e kombeve t’i dëgjojnë më me vëmendje popujt e tyre e të vënë në plan të parë shërbimin ndaj të mirës së përbashkët, duke ndjekur politika që kanë në bazë solidaritetin, duke i ndarë me drejtësi pasuritë e duke luftuar korrupsionin. Padrejtësitë – theksoi me forcë Ati i Shenjtë – bëhen shkaktare për lindjen e konflikteve dhe për ushtrimin e dhunës. Papa i nxit udhëheqësit t’u prijnë me drejtësi e guxim popujve të tyre e të mos u nënshtrohen ideologjive fraksioniste, grupeve që bëjnë presione e as dëshirës për pushtet.Më pas, në fjalimet drejtuar secilit ambasador, Ati i Shenjtë foli për sfidat e veçanta të vendeve që përfaqësojnë diplomatët e rinj, duke nisur nga lufta për paqen, tek mbrojtja e dinjitetit dhe e jetës së njeriut në të gjitha fushat.







All the contents on this site are copyrighted ©.