2006-12-13 17:44:47

Vizita historike e kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë tek Papa.


(13.12.2006 RV)Sot pasdite arriti në Romë Primati i Kishës Ortodokse të Greqisë, kryepeshkopi i Athinës, Kristodulos. Nesër, takimi i shumpritur me Benediktin XVI dhe nënshkrimi i Deklaratës së përbashkët.
Është vizita e parë zyrtare që Fortlumturia e Tij Kristodulos i bën Papës dhe Kishës së Romës, që nga koha e skizmës së Lindjes.
Kryepeshkopi – paralajmëroi pak ditë më parë Salla vatikanase e Shtypit – do të pritet me dashuri vëllazërore kishtare e me nderimet që i takojnë rangut të tij si Primat i Kishës Ortodokse të Greqisë.
Kryepeshkopi grek ka qenë në Romë më 8 prill 2005 për salikimet e Gjon Palit II, me të cilin qe takuar në atdhe më 4 maj 2001, gjatë shtegtimit apostolik të Papës në gjurmët e Shën Palit. Asokohe Gjon Pali II pati shkuar në Aeropagun e Athinës ku, pas një kremtimi solemn, nënshkroi një Deklaratë të përbashkët me kryepeshkopin Kristodulos. Papa Vojtila qe pritur edhe në selinë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë.
Pastaj, tri vjet më vonë, me vendim të Sinodit ortodoks, kryepeshkopi Kristodulos e shtyu udhëtimin që do të bënte në Romë në vitin 2004, për t’i kthyer vizitën Gjon Palit II. Por megjithatë nuk munguan shkëmbimet e vizitave ndërmjet Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë dhe Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve si dhe takime të tjera vëllazërore ndërmjet Kishës së Romës e Kishës Ortodokse të Greqisë. E tani, takimi i Papës me kryepeshkopin Kristodulos, vetëm dy javë pas përqafimit vëllazëror të Benediktit XVI me Patrikun Ekumenik Bartolomeun I në Turqi.
Menjëherë pas arritjes në Romë, Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi Kristodulos mori pjesë në një drekë zyrtare, shtruar për t’i uruar mirëseardhjen nga Këshilli Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Më pas mori pjesë në kremtimin solemn në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, ku iu dorëzua një pjesë e zinxhirit të çmuar, me të cilin qe lidhur Apostulli i Popujve në burg, që ruhet në këtë Bazilikë.
Ndërsa nesër, takimi i shumpritur me Benediktin XVI dhe Deklarata e përbashkët.
Kryepeshkopi Kristodulos do të qëndrojë në Romë deri të shtunën e ardhshme më 16 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve do të ketë takime të ndryshme në Vatikan dhe do të vizitojë qëndra të tjera fetare, ndërmjet të cilave, Kishën e Shën Teodorit Megalomartire, ku kremtohet liturgjia për bashkësinë greko-ortodokse të Romës dhe Varrin e Shën Qirilit në bazilikën e Shën Klementit. Të premten paradite kryepeshkopi Kristodulos do të marrë nga rektori i Universitetit Papnor Lateranens, imzot Rino Fizikela, një doktoratë honoris causa në të drejtën civile e kanonike.







All the contents on this site are copyrighted ©.