2006-12-10 18:09:24

Ikona e Zojës së Bekuar “Selia e Dijes” shtegton nga Bullgaria në Shqipëri.


(10.12.2006 RV)Sivjet takimi tradicional i universitarëve të Romës me Papën merr një kuptim të veçantë edhe për universitarët e Shqipërisë, një delegacion i të cilëve do të jetë i pranishëm në Bazilikën e Shën Pjetrit më 14 dhjetor, në atmosferën e përgatitjes për Krishtlindje.
“Eukaristia dhe dashuria intelektuale” - kjo është tema e takimit të studentëve të universiteteve të Romës me Benedikltin XVI. “Është urgjente të formohen breznitë e reja për ushtrimin e dashurisë intelektuale” – shpjegon imzot Lorenzo Leuci, drejtor i zyrës për baritorinë universitare pranë Vikariatit të Romës – gjë që ndikon drejtpërdrejtë në programimin e një kulture të aftë për të promovuar humanizmin e ri në Itali e në Evropë. Universitetet janë të thirrura të kërkojnë të vërtetën, pa të cilën bashkësia universitare nuk mund t’i përgjigjet kërkesave që ka shoqëria. E Kisha, e ndriçuar nga magjisteri i Benediktit XVI – e ndjek nga afër rrugën kulturore në të cilën ecin universitetet dhe, në përpjekjet e mundimshme të kërkimit shkencor, dëshiron t’i mbështesë me dhuratën e Ungjillit.
Në fund të kremtimit Ikona Sedes Sapientiae do të kalojë nga delegacioni universitar i Bullgarisë në duart e studentëve shqiptarë, për të nisur pastaj shtegtimin drejt universiteteve të Shqipërisë, ku Ikona do të qëndrojë deri në fund të vitit 2007.
Në atmosferën përgatitore të takimit me Papën, më 12 dhjetor, pranë Universitetit të Maltës në Romë, do të mbahet Takimi V evropian i studentëve universitarë me temë: “Dashuria intelektuale, rrugë për një bashkëpunim të ri ndërmjet Evropës e Azisë”. Ky takim do t’i parapërgatisë studentët edhe për Ditën V evropiane të universitarëve, që do të mbahet më 10 mars 2007 kur, në sa Papa do t’i prijë Rruzares Shenjte, me Sallën Nervi do të lidhen Hong-Kongu, Manila, Kalkuta, Mançesteri, Praga, Krakovia, Koimbra, Bolonja e Torino.
Një takim tjetër i rëndësishëm do të jetë edhe ai profesorëve universitarë më 21-24 qershor 2007, me temë “Një humanizëm i ri për Evropën. Roli i universiteteve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.