2006-12-10 16:50:40

Famullia, fanar që rrezaton dritën e fesë: kështu u shpreh Benedikti XVI në përurimin e kishës romake kushtuar Zojës ‘Yll i ungjillëzimit”.


(10.12.2006 RV)Drejtësia e vërtetë nuk mund të sajohet nga njeriu: ajo duhet zbuluar. Duhet të vijë nga Hyji. Të njihet përmes fjalës së Tij ndër famullitë, që si fanar rrezatojnë dritën e fesë, duke iu përgjigjur dëshirave më të thella e më të vërteta të njeriut.
Kjo është sinteza e homelisë së Atit të Shenjtë, që përuroi sot kishën kushtuar Shën Marisë, Yll i ungjillëzimit. Famullia është realizuar edhe falë kontributit të lëmoshëve të cilat që prej 16 vjetësh mblidhen në Kohën e Ardhjes në të gjithë dioqezën e Romës për ngritjen e ndërtesave të reja të kultit, posaçërisht në rrethinat e kryeqytetit.
“Shtëpi që bashkon e në të cilën njeriu e ndjen forcën tërheqëse të Hyjit: kjo është Kisha, vend ku fjala e Zotit mund të dëgjohet e të shpjegohet e ku mund të veprojë ndërmjet njerëzve, si forcë që krijon drejtësi e dashuri”. Me këto fjalë Benedikti XVI u shpjegoi besimtarëve me ç’sy duhet parë famullia, duke nënvizuar më pas se ndërtimi i godinës duhet shoqëruar edhe me rindërtimin shpirtëror. Njeriu – pohoi Papa - duhet të gjejë një ligj themelor për jetën e vet e ky ligj duhet t’i prijë në rrugën e drejtësisë. Më pas shtoi:
Drejtësia e vërtetë nuk mund të sajohet nga njeriu: ajo duhet zbuluar. Duhet të vijë nga Hyji”.
Eshtë fjala e Zotit ajo, që u tregon njerëzve rrugën e drejtësisë – vijoi Ati i Shenjtë – është ajo forca që përtërin dhe i jep kuptim e rregull kohës sonë, i jep gëzim dhe e nxit të ndërtojë. Po Kisha nuk është vetëm ngrehinë guri; e ndërtuar me gurë të gjallë, ajo formon një trup të vetëm me Krishtin dhe bëhet pikëmbështetje për të gjithë njerëzit:
“Sidomos në rrethanat e shoqërisë sonë, gjërësisht të shekullarizuar, famullia është fanar që rrezaton dritën e fesë, duke i dhënë kuptim e shpresë jetës së njerëzve e të familjeve” – tha Papa dhe më pas, para se të fillonte liturgjia e Fjalës së Zotit, shuguroi elterin e kishës së re, duke e lyer me bagëm. E pikërisht në këtë elter janë vendosur relike të Shën Bernardit të Kiaravales, të Shën Françesk Saverit, të Shën Gasprit të Bufalos e të Shën Katerinës Laburè, figura që na kujtojnë ungjillëzimin. Riti i shugurimit vijoi me lyerjen me bagëm të mureve e me dy gjeste të kryera mbi elter: me kemimin dhe ndezjen e dritave. Dritat – tha Benedikti XVI – na kujtojnë fenë e apostujve: e janë pikërisht apostujt drita e vërtetë që ndriçon Kishën. Pastaj Papa vijoi të shpjegonte:
“Ky është qellimi më i thellë i ekzistencës së kësaj ndërtese kishtare: kisha ekziston, sepse në të takojmë Krishtin, Birin e Hyjit të gjallë. Hyji ka një fytyrë. Hyji ka një emër. Në Krishtin, Hyji u mishërua e na u dhurua në misterin e të Shenjtnueshmes Eukaristi. Kisha është vendi i takimit me Birin e Hyjit të gjallë e kështu edhe vend takimi ndërmjet nesh. Ky është gëzimi që na jep Hyji: ai u bë një nga ne, ne mund ta prekim, ai jeton me ne. Gëzimi i Hyjit është forca jonë”.
Në përfundim të kremtimit, Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët me këto fjalë: “Zoti na dha gëzimin të kremtojmë shtëpinë e tij e praninë e tij; ne e ndjemë këtë prani që na bashkon e kështu tani lutemi që ky gëzim të mbetet në ne, që të na ndihmojë të bashkëpunojmë për drejtësinë e paqen në botë”.
Pas kremtimit Ati i Shenjtë u rrethua nga fëmijët, të cilëve u shpjegoi domethënien e Krishtilindjes:“Krishtlindja është dita në të cilën vetë Hyji na bëri një dhuratë të madhe, na dha Birin e vet, e kështu Këshndellat u bënë festa e dhuratave. Duam t’i përngjasim Hyjit, të mos jetojmë vetëm për vetveten, por të mendojmë edhe për tjetrin, t’i bëjmë dhurata tjetrit. Por dhurata më e bukur është të sillesh mirë me të tjerët, të jesh plot mirësi, drejtësi e dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.