2006-12-08 18:02:25

“Zënia e Papërlyer e Marisë” është një nga festat më të bukura e më popullore të Zojës së Bekuar”- tha Papa në Engjëllin e Tënzot.


(8.12.2006 RV)“Jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm, trashëgimí e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore” – këtë kujtoi sot Papa në lutjen mariane, duke nënvizuar misionin për të cilin Zoti e kishte caktuar Marinë: të ishte Nëna e Shëlbuesit. E këtë e përmban e vërteta e fesë që flet për të Papërlyerën – kujtoi Benedikti XVI – duke pohuar se fjala ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne – është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti, për të treguar se është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar, Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit”, ashtu siç shkruan edhe Benedikti XVI në Enciklikën “Deus caritas est”.
Mund të na lindë pyetja: pse ndërmjet të gjitha grave, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit? - nënvizoi Ati i Shenjtë, duke shpjeguar më pas se përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe se Ungjilli vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë. E Benedikti XVI citoi në vijim ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Aligerit e pikërisht Këngën e fundit të Parajsës, në të cilën shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Biri, / ti e përvujtë e e lartë përmbi krijesat të tëra/…E më pas Papa kujtoi se vetë Virgjëra, në ‘Magnificat’, thotë: “Shpirti im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”. Benedikti XVI shpjegoi se Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij:
“U bë kështu Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore”.
Papa vijoi të fliste për misionin e krishterë, duke pohuar se “Maria e pranoi Jezusin me fe e ia dhuroi botës me dashuri:
“Kjo është edhe thirrja jonë e misioni ynë, thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia japim botës, që bota të shëlbohet përmes Tij”
Në përfundim Papa i ftoi besimarët ta shikojnë festën e sotme të Zojës së papërlyer si një fanar që ndriçon Kohën e Ardhjes, kohë në të cilën, vigjilentë e plot besim, presim ardhjen e Shëlbuesit - e Marinë, si shenjë të ndritur e të sigurtë shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit në shtegtim.Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë iu drejtua posaçërisht anëtarëve të Akademisë Papnore të Zojës së papërlyer, të kryesuar nga kryetari, kardinali Andrea Maria Deskur, duke i përgëzuar për veprimtaritë e Akademisë dhe për shërbimin e mirënjohur që kryejnë. Ndërsa në gjuhën polake, Papa uroi që Maria t’i nxisë besimtarët për ta pritur plot besim Shëlbuesin që vjen. Të gjithëve u uroi festë të gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.