2006-12-08 18:04:23

Shtegtimi i ikonës së Zojës “Selia e Dijes” nga Bullgaria, në Romë e në Shqipëri.


(8.12.2006 RV)Veprimtaria tjetër e madhe e Papës për këtë javë është vizita, të dielën e ardhshme, në famullinë romake të Shën Mërisë, Yll i ungjillëzimit e më pas, ajo e së enjtes, 14 dhjetor, kur do të kremtojë Meshën shenjte për Universitarët romakë, në përgatitje të Krishtlindjes. Sivjet takimi i Papës me universitarët përkon me një çast të rëndësishëm festiv: me shtegtimin e ikonës së Virgjërës Mari, me emërtimin “Selia e dijes” nga Bullgaria në Shqipëri. Ikona “Selia e dijes” që shtegton nëpër qëndrat universitare të mbarë botës, iu dorëzua studentëve nga Papa Gjon Pali II në Vitin Jubilar 2000. Vitin 2006 e kaloi në Bullgari, ndërsa tani do të niset drejt Shqipërisë. Ky shtegtim do të shoqërohet me një sërë kremtimesh që do të fillojnë nesër në famullinë romake të Shenjtorëve Aquila e Prishila, ku pasi të arrijë Ikona, do të kremtohet Mesha shenjte dhe festa e universitarëve. Më pas, të dielën, më 10 dhjetor, në të njëjtën famulli, Meshën shenjte ndërkombëtare do ta kremtojë Shkelqësia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Pas Meshës do të organizohen çaste feste studentore. Shtegtimi do të vijojë më 11 dhjetor me një natë lutjeje në famullinë romake të Zojës Rruzare. Pastaj më 12 dhjetor Ikona do të shtegtojë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku do të organizohet Koncerti i Krishtlindjes.
Më 13 dhjetor, në famullinë e Shenjtorëve Akuila e Prishila do të kremtohet liturgjia pendestare e më pas, festa do të arrijë kulmin të enjten e ardhshme, më 14 dhjetor, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku studentët do të ndjekin Meshën e kryesuar nga Benedikti XVI, gjatë së cilës Ikona do të kalojë nga duart e studentëve bullgarë, në ato të një grupi studentësh shqiptarë e kështu ‘Selia e dijes’ do të nisë shtegtimin drejt Shqipërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.