Festa e Zojës së Papërplyer, të Xanunt e Pafaj të së Lumes Virgjines Mrì. Flet imzot
Angjelo Komastri
Festa e Zojës së Papërplyer Festa e Zojës së Papërplyer është ndër festat më të bukura
e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjërës Mari. Në këtë
festë të të Xanunt të Pafaj të Virgjines Mrì, besimtarët e krishterë me mirënjohje
të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit
Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin që Ai na dhuroi në personin e Virgjëres Mari,
Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha e kremon sot më 8 dhjetor. Mbi domethënien
e porosinë e kësaj feste për besimtarë të krishterë, flet kryeipeshkvi imzot Angelo
Comastri. Ta dëgjojmë intervistën e tij për Radio Vatikanin.. Përgjigje:
- Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë
tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi
të plotë e me përpikmëri të jashtzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga
Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia
është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgenjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli.
Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria
është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e
njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që
ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë,
e rimendon, e rimediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit
të saj me Zotin. Maria është krijesë e jashtzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon,
si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin
që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj
Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo
‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qëndrore e mbarë historisë së njerëzimit e me
të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja
Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë
mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje. Pyetje: - Shkelqësi,
në këtë kohë pritjeje, si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, së bashku me Marinë? Përgjigje:
- Duhet të përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. Kur Maria vihet për
udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes
pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjen larg nga shtëpia?
Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjes? Por sigurisht Maria
i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që
ia tha Engjëllit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash”. Ne duhet
të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta bërë përsëri rrugën e Betelehemit.
E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë perëndimore,
vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin
e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale. E dimë se vlen vetëm
Zoti: është mësimi i Krishtlindjes. E për ta përvetësuar këtë mësim, Maria është mësuesja
më e mirë; në sa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon
edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë
misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij, aq sa ta dëgjojmë edhe
ne këngën e Engjëjve: “Lumni Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që
ai i do”.