2006-12-07 15:20:48

Të promovohet një projekt i përtrirë i humanizmit të krishterë: kështu shkruan Papa në mesazhin drejtuar Akademive Papnore, të mbledhura në Vatikan.


(7.12.2006 RV)"Të promovohet e të mbështetet në Kishë e në botën e kulturës, një projekt i përtrirë i humanizmit të krishterë": me këto fjalë Benedikti XVI i nxiti Akademitë Papnore, të mbledhura sot paradite në Vatikan për seancën e tyre XI publike. Natën e solemnitetit të Zojës së Papërlyer, Papa ikurajon punën e studiuesve të mariologjisë. “Projekti i humanizmit të krishterë duhet përtrirë”: kjo është porosia që Benedikti XVI u dha pjesëmarrësve në seancën XI publike të Akademive Papnore, përmes një telegrami, drejtuar kryetarit të Këshillit Papnor të Kulturës, kardinalit Pol Pupard, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. U mbajt sot në Sallën e Re në Vatikan seanca, me temë “Zoja e Papërlyer, Nëna e të gjithë njerëzve - ikonë e bukurisë dhe e dashurisë hyjnore”. Është një temë që merr kuptim të veçantë natën e Solemnitetit të Zojës së Papërlyer. Kjo na kujton se nesër në mesditë Papa do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa pasdite, në orën 16. 00, do të shkojë në Sheshin romak të Spanjës për t’i bërë Zojës së Papërlyer nderimin tradicional, duke vënë në shtyllën, mbi të cilën lartohet shtatorja e saj, një kurorë me lule. Më pas Ati i Shenjtë do të gjunjëzohet në lutje në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.