Përkujtojmë Shën Ambrozin, ipeshkëv e dijetar i Kishës.
(7.12.2006 RV)I jashtzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para
se të pagëzohej. I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi
familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë e gojtari. Si u bë avokat e më
pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali.
Më pas u transferua përfundimisht në Milano. Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen
e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin
lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim
aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.
Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani,
u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë,
sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij.
Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e
shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë
njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin. Ai që thoshte: “Ku është Pjetri,
atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin
e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun.
Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos. Me
jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me
karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.