(7.12.2006 RV)Në Vatikan vijon vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Lacios,
që filloi ditën e hënë, kur Papa priti grupin e parë të prelatëve, të kryesuar nga
kardinali vikar, Kamilo Ruini. Sot Benedikti XVI u takua me një grup tjetër ipeshkvijsh
të Lacios. Kujtojmë se dje, para se të fillonte audiencën e përgjithshme me shtegtarët
në Sallën e Palit VI, Benedikti XVI përshëndeti për pak çaste grupet e besimtarëve
të Lacios, mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga ipeshkvijtë e tyre,
duke u dhënë zemër ta gjallërojnë gjithnjë më shumë jetën e tyre shpirtërore, në përkim
edhe me orientimet e takimit të kohëve të fundit të Kishës italiane në Veronë. Detyra
kryesore e ungjillëzimit – u tha Papa – është t’i kumtoni botës se Jezu Krishti është
shëlbuesi i njerëzimit. Besojani gjithnjë vetveten atij e kumtojeni me jetën tuaj
në familje e në çdo mjedis. Këtë presin edhe sot njerëzit nga Kisha!Kujtojmë se Lacio
është një zonë kishtare me më se 5 milionë e 200 mijë banorë, me 1456 famulli e 8300
meshtarë rregulltarë e shekullarë.