2006-12-06 18:51:16

OKB-ja kërkon armëpushimin në Darfur; Turqia gati një plan "B" për integrimin evropian.


(06.12.06 RV) OKB-ja dëshiron të ndërpresë me çdo kusht spiralen e dhunës, që në vitin 2003 shkaktoi 200 mijë viktima në Darfur, rajonin e martirizuar të Sudanit perëndimor. Përgjegjësi i operacioneve paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara, Zhan Mari Gehenò ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm dhe fillimin e bisedimeve. Ky armëpushim do të lejojë më pas hyrjen në zonë të helmetkaltërve të OKB-së, të cilët do të përpiqen të vendosin paqen sëbashku me forcat e Bashkimit Afrikan që veprojnë tashmë në Darfur. Fatkeqësisht, në këtë moment forcat miliciane që mbështeten nga qeveria e Khartumit po fitojnë gjithnjë e më tepër territor, prandaj është e vështirë të vendosin për armëpushim.

Turqia ka gati një plan “B” për të dalë nga situata e stanjacionit në procesin e integrimit evropian. Në një konferencë shtypi në Ankara, kryeministri turk Erdogan deklaroi se duhet pritur vendimi i Këshillit Evropian, që do të mbahet javën që vjen në Bruksel, e vetëm atëherë, qeveria turke do ta bëjë të njohur lëvizjen e saj politike për t’u afruar sërish me Bashkimin Evropian. Sot skadon afati që Komisioni Evropian i kishte lënë në dispozicion Turqisë për të hapur portet e saj ndaj mallrave të Qipros, direktivë që Ankaraja nuk e ka plotësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.