2006-12-06 18:18:34

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi shtegtimin në Turqi.


(6.12.2006 RV)Sot Benedikti XVI, siç e pati paralajmëruar edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, ia kushtoi audiencën e përgjithshme çasteve më të rëndësishme të shtegtimit të tij apostolik në Turqi. Para se t’u fliste për përshtypjet e këtij udhëtimi 15 mijë shtegtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI, Papa u takua, në bazilikën e Vatikanit, me besimtarët e dioqezës së Lacios, të kryesuar nga ipeshkvijtë e tyre, të cilët vijojnë vizitën “ad Limina” në Vatikan.
Ishte një shtegtim jo i lehtë në disa këndvështrime, por Zoti e shoqëroi nga fillimi e deri në mbarim, duke e pasuruar me çaste tepër të rëndësishme vëllazërimi ekumenik e dialogu me Islamin. Benedikti XVI përdori një figurë, për të shpjeguar “gjeometrinë” e udhëtimit të tij apostolik, vizitë që – siç u shpreh Papa – u zhvillua sipas tre rrathëve bashkëqendror që karakterizojnë misionin e papës e që janë: përforcimi në fe i bashkësisë katolike, që përbën rrethin e brëndashkruar; dialogu me të krishterët e tjerë, rrethin e ndërmjetëm dhe takimi me jo të krisheterët, rrethin e jashtëshkruar. E nga ky rreth, nga ballafaqimi me Islamin, u nis Benedikti XVI për të bërë vlerësimet e shtegtimit të pestë apostolik. Duke ripohuar nderimin e tij për autoritetet turke e duke shprehur mirënjohjen për ngrohtësinë dhe simpatinë me të cilën e priti popullsia, Papa preku menjëherë një nga problemet themelore që u përballuan gjatë këtij shtegtimi – atë të lirisë së kultit, që u duhet siguruar nënshtetasve dhe bashkësive fetare e që - pikërisht në Turqi, ku laiciteti i shtetit garantohet në Kushtetutë, bie në sy në mënyrë paradigmatike:
“Është, prandaj një vend emblematik përsa i përket sfidës që luhet sot në nivel botëror – shpjegoi Papa. Nga njëra anë duhet rizbuluar realiteti i Hyjit dhe rëndësia publike që ka feja, e nga ana tjetër, të krijohet siguria që shprehja e kësaj feje të jetë e lirë, pa çoroditje fondamentaliste, e aftë për t’iu kundërvënë me vendosmëri çdo forme të dhunës”.
Ndërmjet takimeve prekëse, të shumta gjatë ditëve të shtegtimit, Benedikti XVI i quajti providenciale çastet, ndonëse të paparashikuara që në fillim, që kaloi në Xhaminë Blu të Stambollit, një nga tri qëndrat më të njohura të fesë myslimane:
“ Duke u ndaluar pak minuta në meditim në këtë vend lutjesh – vijoi Ati i Shenjtë - iu drejtova të vetmit Zot të qiellit e të tokës, Atit të gjithëmëshirshëm të mbarë njerëzimit. Uroj që të gjithë besimtarët ta pranojnë se janë krijesat e tij e të japin dëshmi vëllazërimi të vërtetë.”
Edhe ngjarjet që kanë të bëjnë me rrethin e ndërmjetëm i shërbyen Papës për të theksuar rëndësinë e shtegtimit në Turqi. Ati i Shenjtë kujtoi shkurtimisht takimet me kryetarët e Kishave ortodokse, që u vulosën me përqafimin e paqes, shkëmbyer në Stamboll me Patrikun Ekumenik Bartolomeun I në ditën e festës së Shën Andreut:
Në gjurmët e Palit VI, që takoi Patrikun Atenagora, dhe të Gjon Palit II, që u prit nga pasardhësi i Atenagorës, Dimitrios I, përsërita me Shenjtërinë e Tij Bartolomeun I këtë gjest me vlerë të madhe simbolike, duke ripohuar impenjmin reciprok për të vijuar rrugën drejt rivendojes së bashkimit të plotë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve”.
Për ta sanksionuar këtë vendim, nënshkrova me Patrikun Ekumenik Deklaratën e përbashkët, që përbën një etapë të re të kësaj rruge – pohoi Papa i cili, duke kujtuar praninë e patrikëve ortodoksë në Meshën përfundimtare të shtegtimit, në Kishën e Shpirtit Shenjt në Stamboll, shtoi: “Jetuam përvojën e Rrëshajve të reja”. Nga liturgjia eukaristike përfundimtare e pastaj edhe nga Mesha e kremtuar në Efez, në Shtëpinë e Nënës Mari – dmth nga çastet e shtegtimit kushtuar rrethit të brëndashkruar - Benedikti XVI kujtoi posaçërisht thjeshtësinë e qendrës së vogël, tepër të lashtë, të kultit marian: “Në Shtëpinë e Marisë – theksoi Ati i Shenjtë – e ndejmë veten vërtetë si në shtëpinë tonë”.
E duke u kthyer në Vatikan, Papa ia besoi Hyjit frytet e shtegtimit të tij apostolik dhe i lartoi një lutje, që është njëkohësisht edhe urim:
“Zoti i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm e ndihmoftë popullin turk, ata që e qeverisin dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme, të ndërtojnë së bashku një ardhmëri paqësore, në mënyrë që Turiqa të jetë ‘urë’ miqësie e bashkëpunimi vëllazëror ndërmjet Perëndimit e Lindjes. Lutemi edhe që, me ndërmjetësinë e të Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Shpirti Shenjt ta bëjë frytdhënës këtë shtegtim apostolik e ta gjallërojë në mbarë botën misionin e Kishës, të themeluar nga Krishti për t’i kumtuar të gjithë popujve ungjillin e së vërtetës, të paqes e të dashurisë”.
Rreth orës 10. 30, para se t’u drejtohej besimtarëve në Sallën e Palit VI, Benedikti XVI përshëndeti për pak çaste grupet e besimtarëve italianë, mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke u dhënë zemër ta gjallërojnë gjithnjë më shumë jetën e tyre shpirtërore, në përkim edhe me orientimet e takimit të kohëve të fundit të Kishës italiane në Veronë. Detyra kryesore e ungjillëzimit – u tha Papa – është t’i kumtoni botës se Jezu Krishti është shëlbuesi i njerëzimit. Besojani gjithnjë vetveten atij e kumtojeni me jetën tuaj në familje e në çdo mjedis. Këtë presin edhe sot njerëzit nga Kisha!







All the contents on this site are copyrighted ©.