Bush: nuk jam dakord me të gjithë raportin Bejker mbi Irakun.
(06.12.06 RV) Në Irak, së paku 12 vetë kanë mbetur të vrarë në dy sulme guerrilasish
në Bagdad. Ndërkaq, në SHBA, iu dorëzua presidentit Bush raporti mbi Irakun i komisionit
bipartizan, Bejker/Hamilton. “Ky raport – deklaroi presidenti amerikan – jep një
vlerësim shumë të ashpër për gjendjen në Irak. Përmban disa propozime interesante
që do të vlerësohen një e nga një”. Sipas mediave amerikane, raporti sugjeron transferimin
e ushtarëve amerikanë nga fusha e luftimit në atë të mbështetjes së trupave irakiane.
Gjithashtu, ai propozon përfshirjen diplomatike të Iranit e të Sirisë në zgjidhjen
e çështjes irakiane. Pavarësisht se raporti pritej me shumë interes, Shtëpia e
Bardhë ka nënvizuar disa herë se ai nuk është i vetmi. Një raport tjetër i është besuar
për shembull, Pentagonit. Bush sot deklaroi se “nuk do të jetë dakord me të gjitha
propozimet” e raportit Bejker/Hamilton.