2006-12-05 17:19:17

Koha e Ardhjes na përgatit për Krishtlindje. Intervistë me kryeipeshkvin Komastri.


(5.12.2006 RV)RealAudioMP3 Me të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, për Kishën filloi viti i ri liturgjik. Ftuam në mikrofonin tonë imzot Angjelo Komastrin për të na shpjeguar, së pari, ç’është Viti Liturgjik?
Përgjigje: - Viti liturgjik është rrugëtim, është kohë që lëviz duke na bërë ta rijetojmë jetën e Jezusit. Pritjen, Lindjen, Mundimet, Ngjalljen, Rrëshajët: për ne të krishterët koha nuk ka kuptim në se nuk lëviz rreth Jezusit e, me qenë se mësojmë gjithnjë nga Jezusi, kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misterit i Krishtit, që të na hyjë në shpirt deri në atë pikë, sa të mund të themi me plot gojën se jemi të krishterë, që do të thotë njerëz të cilët kanë aromën e Krishtit.
Pyetje: - Kjo kohë, që ka në bazë fjalën ‘Ardhje’, na bën të mendojmë se pritet diçka që do të ndodhë…?
Përgjigje: - Është e vërtetë se Koha e Ardhjes na shtyn të mendojmë se do të ndodhë diçka, por niset nga diçka që ka ndodhur tashmë. Koha e Ardhjes niset nga Lindja e Zotit, nga ardhja e Jezusit në histori për të hapur brënda kësaj historie, të njollosur nga mëkati, një shteg shëlbimi. Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, Biri i Zotit është bërë njeri, ka hyrë në historinë tonë deri në atë pikë, sa ne sot mund të themi se jemi farefis me Zotin, sepse Zoti u bë njeri; por shëlbimi nuk është përmbushur, shëlbimi nuk është kryer, shëlbimi nuk ka përfunduar; shëlbimi ka filluar, ka nisur si tharm, si fryt i parë. Ne presim kthimin e Jezusit, që të përmbushet shëlbimi, që njerëzimi të çlirohet plotësisht nga pesha e fajit e bota të çlirohet nga skllavëria e mëkatit. Ne presim qiej të rinj e tokë të re, presim Jeruzalemin e ri e prandaj, ndërsa kujtojmë ardhjen e Jezusit në histori, ndezim kandilin, ose më mirë të themi e mbushim me vaj – për të shkuar pastaj të përgatitur si duhet në takimin me Zotin që vjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.