Benedikti XVI shpejton hapat në rrugën e ekumenizmit: pas pak ditësh do të presë
në Vatikan Kryepeshkopin e Athinës, Kristodulos.
(5.12.2006 RV)Vizita e parë zyrtare që Fortlumturia e Tij i bën Papës dhe Kishës
së Romës, e cila do të zgjasë deri më 16 dhjetor, tregon qartë se rruga ekumenike
e Kishës vijon. Kryepeshkopi grek ka qenë në Romë për salikimet e Gjon Palit II –
njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit – por është hera e parë që Primati
i Kishës Ortodokse të Greqisë i bën një vizitë zyrtare Papës e Kishës së Romës.
Papa do ta presë të enjten, më 14 dhjetor. Gjatë një kremtimi solemn në Bazilikën
e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Kryepeshkopit grek do t’i dorëzohet një pjesë
e zinxhirit të çmuar me të cilin qe lidhur Shën Pali në burg, që ruhet në këtë bazilikë.
Nëntorin e kaluar, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse shprehu gëzimin për realizimin
e kësaj vizite, frytet e së cilës – u nënvizua – do të jenë pozitive. Kryepeshkopi
– shton Salla vatikanase e Shtypit – do të pritet me dashuri vëllazërore kishtare
e me nderimet që i takojnë rangut të tij si Primat i Kishës Ortodokse të Greqisë.
Në vijim kujtohet se në vitin 2001, gjatë shtegtimit të tij apostolik në gjurmët e
Shën Palit, Gjon Pali II pati shkuar në Aeropagun e Athinës ku, pas një kremtimi solemn,
nënshkroi një Deklaratë të përbashkët me kryepeshkopin Kristodulos. Papa Vojtila u
prit në selinë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë. Në vitet e mëpasme
– nënvizohet në notë – shkëmbyen vizita një delegacion i Sinodit të Shenjtë të Kishës
Ortodokse të Greqisë që erdhi në Romë e një delegacion i Këshillit Papnor për nxitjen
e bashkimit të të krishterëve, që shkoi në Athinë. Këtyre nismave u shtohen edhe
takime të tjera vëllazërore ndërmjet Kishës së Romës e Kishës Ortodokse të Greqisë.
“Duhen bërë gjeste konkrete, që hyjnë në shpirt e tundin ndërgjegjet, duke i nxitur
të gjithë për atë kthesë shpirtërore, që është parakusht i çdo progresi në rrugën
e ekumenizmit”: ishte data 20 prill 2005 kur Benedikti XVI i shqipoi këto fjalë në
Kapelën Sikstine. Kishin kaluar vetëm 24 orë nga koha kur kardinali Jozef Racinger
ishte zgjedhur i 264-ti Pasardhës i Shën Pjetrit. E Papa do të vijonte të kryente
me guxim gjeste të tilla, duke treguar se ekumenzimi është impenjim i dorës së parë
në papninë e Tij. Kështu, në shtegtimin e parë apostolik ndërkombëtar në atdhe për
Ditën Botërore të Rinisë, Benedikti XVI deshi të programohet edhe një takim ekumenik.
“Ndasitë tona – pohoi në kryeipeshkvinë e Këlnit – janë në kundërshtim me vullnetin
e Jezusit e na bëjnë pak të besueshëm përballë botës. I nxiti, kështu, të gjithë besimtarët
të impenjohen me zell e përkushtim për të dhënë një dëshmi të përbashkët. E pikërisht
zelli e përkushtimi i dallon edhe shumë takime të tjera domethënëse ekumenike të Papës
në përfundim të vitit 2006. Më 17 nëntor Benedikti XVI priti pjesëmarrësit në plenaren
e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Mbi të gjitha - vërejti
Papa gjatë këtij takimi - duhet promovuar ekumenizmi i dashurisë, i cili buron drejtpëdrejtë
nga urdhërimi i ri që u dha Jezusi nxënësve të vet: “Dashuria, e shoqëruar
nga gjeste koherente, krijon besim, hap zemrat e sytë. Dialogu i dashurisë, për vetë
natyrën e tij, promovon dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: e pikërisht në të vërtetën
e plotë do të arrihet takimi përfundimtar drejt të cilit na prin Shpirti i Krishtit”.
Kalojnë vetëm pak ditë e, më 23 nëntor Papa pret në Vatikan kryeipeshkvin
e Kanterbërit, Rouan Uiljams. Primatit të Bashkimit Anglikan Ati i Shenjtë nuk ia
fsheh vështirësitë që nuk mungojnë në rrugën e bashkimit të plotë, të dukshëm të të
krishterëve, por më pas thekson edhe marrëdhëniet e mira që, duke vijuar të thellohen,
kanë krijuar rrethana të reja. E, në këtë atsmosferë, duhet kujtuar edhe takimi i
Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun ndërmjet Kishës katolike e Kishës
ortodokse, mbajtur në Beograd në shtatorin e kaluar. Ishte ngjarje tepër e rëndësishme,
pas një ndërprerjeje që zgjati gjashtë vjet. E pastaj, përqafimi vëllazëror me
Bartolomeun I në Stamboll, çast kulmor i përmasës ekumenike të shtegtimit apostolik
në Turqi, pak ditë më parë. Në Fanar, seli e Patriarkanës ekumenike, Papa i ftoi katolikët
e ortodoksët të punojnë për bashkimin në dashuri e vërtetësi E sërisht përsëriti thirrjen
për të marrë pjesë gjallërisht në këtë proces me lutje e gjeste domethënëse. Më pas,
në katedralen e Shpirtit Shenjt në Stamboll, ripohoi se perspektiva ekumenike zë vendin
e parë ndërmjet problemeve të tij kishtare. Gjithnjë në Stamboll, Benedikti XVI u
takua me Patrikun armen apostolik Mesrobi II. Ndarjet tragjike ndërmjet ndjekësve
të Krishtit gjatë shekujve – theksoi Papa në këtë takim – i kundërvihen hapazi vullnetit
të Zotit dhe janë shkandull për botën. E edhe një herë, Benedikti XVI kërkoi gjeste
që janë në gjendje t’i mjekojnë plagët e përçarjes, duke krijuar kushte për bashkëpunimin
gjithnjë më të sinqertë ndërmjet gjithë nxënësve të Krishtit, derisa të arrihet bashkimi
i tyre i plotë.