Çelibati për meshtarët nuk është në rendin e ditës të autoriteteve kishtare: kështu
shprehet kardinali Hjums në një notë të Sallës vatikanase të Shtypit.
(4.12.2005 RV)Deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë publikohet
pas një interviste dhënë gazetës braziliane “Estrado do Sao Paulo’ nga prefekti i
ri i Kongregatës për Klerin. “Në Kishë – nënvizon kardinali Klaudio Hjums – ka
qenë gjithnjë e qartë se detyrimi i çelibatit për meshtarët nuk është dogmë, por normë
disiplinore”. E këtë – vijoi kardinali - e vërteton fakti se ky detyrim vlen për Kishën
latine, por jo për ritet lindore, ku edhe në bashkësitë në unitet me Kishën katolike,
është normale të ketë priftërinj të martuar. E megjithatë është po aq e qartë -
vijon deklarata – se norma që i detyron meshtarët e Kishës latine të mos martohen,
është shumë e lashtë, e mbështetur mbi një traditë të konsoliduar dhe mbi arsye shumë
të forta, me karakter si teologjiko-shpirtëror, ashtu edhe praktiko-baritor, gjë që
është ripohuar vazhdimisht edhe nga papët. Prefekti i ri i Kongregatës për Klerin
kujton më pas se “edhe në sinodin e fundit të ipeshkvijve kushtuar figurës së meshtarit,
shumica e etërve sinodalë ishte e mendimit se zgjidhja e problemit të mungesës së
thirrjeve për rrugën e meshtarisë nuk varet nga çelibati. Një problem i tillë lidhet
më shumë me shkaqe të tjera, duke filluar nga kultura e shekullarizuar moderne, siç
e tregon edhe përvoja e konfesioneve të tjera të krishtera, që kanë priftërinj ose
ipeshkvij të martuar. Prandaj – përfundon Kardinali Hjums - kjo çështje nuk është
në rendin e ditës të autoriteteve kishtare, siç e ka pohuar edhe Benedikti XVI pas
takimit të fundit me kryetarët dikastereve të Vatikanit.