2006-12-04 16:14:28

Dje, në Engjëllin e Tënzot të së dielës së parë të Kohës së Ardhjes, Papa uroi që shtegtimi i tij apostolik në Turqi të favorizojë dialogun me myslimanët.


(4.12.2006 RV) Një përvojë e paharrueshme, e nevojshme për dialogun me myslimanët: kështu e sintetizoi Papa domethënien e shtegtimit të tij apostolik në Turqi, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Benedikti XVI falënderoi Zotin dhe të gjithë besimtarët që e shoqëruan dhe e ndihmuan me lutje. Njoftoi, pastaj, se do të flasë më gjatë për këtë shtegtim në audiencën e përgjithshme të së mërkurës:
“Të mërkurën e ardhshme, gjatë audiencës së përgjithshme, do të mund të flas më gjërë për këtë përvojë të paharrueshme shpirtërore e baritore, nga e cila shpresoj të arrihen rezultate të mira për bashkëpunimin gjithnjë më të sinqertë ndërmjet gjithë nxënësve të Krishtit dhe për një dialog të frytshëm me besimtarët myslimanë”.
Papa i falënderoi përsëri të gjithë ata që organizuan shtegtimin, duke kontribuar në mënyra të ndryshme për zhvillimin e tij paqësor e të suksesshëm. E më pas falënderoi nxehtësisht autoritetet dhe popullin turk që, nënvizoi Ati i Shenjtë – i bëri një pritje të denjë për frymën e mikpritjes së tij tradicionale.
Një përshëndetje të veçantë Ati i Shenjtë i drejtoi bashkësisë së vogël katolike që jeton në trojet turke:
Munda t’i takoj e të kremtoj Meshën Shenjte me këta vëllezër e motra, që shpesh ndodhen në kushte aspak të lehta. Është vërtetë një grigjë e vogël, plot larmi, e pasur me entuziazëm e me fe, që mund të themi se e jeton në mënyrë të vazhdueshme, të fortë e plot shpresë, përvojën e Kohës së Ardhjes”.
Në të Dielën e parë të Ardhjes, Papa nënvizoi se kjo është koha e shpresës dhe i nxiti besimtarët të rrijnë në pritje vigjilente, të ushqyer nga lutja dhe nga impenjmi i dashurisë. Liturgjia – nënvizoi Ati i Shenjtë – na përsërit shpesh e na siguron, si të donte ta davariste dyshimin tonë, se Zoti vjen: vjen të rrijë me ne në çdo situatë. Zoti – vijoi Ati i Shenjtë – vjen të banojë mes nesh, të jetojë me ne e në ne; vjen t’i zhdukë distancat që na ndajnë e na veçojnë; vjen të na pajtojë me Të e me njëri-tjetrin:
Vjen në historinë e njerëzimit të trokasë në portën e çdo burri e të çdo gruaje vullnetmirë, për t’u sjellë individëve, familjeve e popujve dhuratën e vëllazërisë, të harmonisë e të paqes. Prandaj Koha e Ardhjes, për vetë natyrën e saj, është Kohë shprese, në të cilën besimtarët në Krishtin janë të thirrur të rrinë në pritje vigjilente e veprimtare, të ushqyer nga lutja e nga impenjimi aktiv i dashurisë. Uroj që afrimi i lindjes së Krishtit t’i mbushë zemrat e gjithë të krishterëve me gëzim, qetësi e paqe!”.
Për ta jetuar në mënyrë sa më të frytshme këtë Kohë të Ardhjes – vijoi Papa- duhet t’i sjellim sytë nga e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari. Kur Zoti trokiti në portën e jetës së saj të re – nënvizoi Shenjtëria e Tij – ajo e priti plot fe e dashuri. Pas pak ditësh – shtoi Papa – do ta kundrojmë në misterin e ndritshëm të të zënit të saj të papërlyer. Prej këndej Benedikti XVI i ftoi besimtarët të tërhiqen nga bukuria e saj, që është pasqyrim i lavdisë hyjnore. Kështu Zoti që vjen, të gjejë në kraharorin e secilit nga ne, një zemër të mirë, të hapur për ta pritur.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti me dashuri një grup vajzash të Lëvizjes së Fokolarëve, ardhur nga vende të ndryshme të Evropës e të Amerikës Latine për një takim formimi dhe i ftoi të mësojnë nga Maria për t’u bërë nxënëse të vërteta të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.