100-vjetori i themelimit të shoqërisë ‘Bashkimi’ në Bukuresht.
(4.12.2006 RV)Përkujtojmë sot një datë me rëndësi të veçantë për çështjen kombëtare
shqiptare: 100- vjetorin e themelimit në Bukuresht të shoqërisë "Bashkimi", në të
cilën më 4 dhjetor 1906, vetëm 6 vjet para shpalljes së Pavarësisë, u shkrinë shoqëritë
"Diturija" ( pasardhëse e "Dritës") dhe "Shpresa". Në vijim të veprimtarisë patriotike,
nisur nga "Drita" qysh pas Lidhjes së Prizrendit, shoqëria e re do të mbetej një nga
vatrat më të rëndësishme të botimit të librave në gjuhën shqipe. Librat, përgatitur
prej atdhetarësh punëtorë, dilnin një nga një nga shtypshkronja e saj dhe dërgoheshin
në të katër anët e Shqipërisë e të botës, që nga Amerika deri në Kinë, duke përhapur
kështu kudo idenë e madhe të Shqipërisë së mosvarme. Lexoheshin me etje të madhe
dhe ngjallnin ndër zemra ndjenjën e kombësisë, dëshirën për një Rilindje e për një
Atdhe, duke u bërë burim i pashterrshëm i idealit të ri të popullit shqiptar. Nga
kjo shoqëri nisi sulmi për përdorimin e gjuhës shqipe në shkollat e Shqipërisë e po
nga kjo, veprimtaria për të përhapur kudo vargjet dhe notat e Himnit të Flamurit,
krijuar po në gjirin e saj nga ai, që qe deri në vdekje, shpirti i lëvizjes së shqiptarëve
të Rumanisë, Asdreni. Po kjo shoqëri do të dërgonte më 28 nëntor për të ngritur
Flamurin Kombëtar në Vlorë një delegacion të përbërë nga 6 patriotë nga më të flaktët,
ndërmjet të cilëve, Luigj Gurakuqi, që do të luanin, më pas, një rol të dorës së parë
për organizimin e shtetit shqiptar në fasha.