2006-12-02 15:46:37

Lajme nga Kisha në botë


(3.12.2006 RV)Me festën e sotme liturgjike të Shën Françesk Saverit, që përkon me të Dielën e parë të Ardhjes, përfundoi Viti jubilar i kremtuar nga shumë provinca jezuite me rastin e 450-vjetorit të vdekjes së Shën Injac Lojolës dhe 50-vjetorit të lindjes së Shën Françesk Saverit e të të Lumit Pierre Favre. Kremtimi kryesor u mbajt sot në Romë, në Kishën e Shën Injacit.
Një kremtim tjetër solemn, i pasuar nga një sërë veprimtarish fetare e kulturore, u mbajt në Havier të Spanjës, vendlindje e Pajtorit të Misioneve.
Më 6 dhjetorin e ardhshëm, gjithnjë në kuadrin e përfundimit të manifestimeve, në Romë do të shfaqet opera-koncert “Saveri duke ëndërruar Kinën”, që përshkon çastet më të rëndësishme të jetës së Shenjtit deri në portat e Kinës.
Mbyllja e Vitit Saverian do të përkujtohet edhe në trojet ku kreu misionin Shenjti e sidomos, në të gjitha kishat kushtuar Shën Françesk Saverit.
Ipeshvijtë e Azisë impenjohen t’i përdorin mediat në shërbim të njohjes më të thellë të Lajmit të mirë.
Shoqata e Konferencave Ipeshkvnore të Azisë diskutoi, pak ditë më parë, në Tatai të Filipineve, për rolin që duhet të kenë ipeshkvijtë në botën e mjeteve të komunikimit. U theksua se ipeshkvijtë duhet të përgatiten për të hyrë me sukses në këtë botë. Realiteti tregon qartë se nuk janë të përgatitur për ta transmetuar televizisht mesazhin e tyre. Duke i ndjekur kur duken në ekran, ndjehet menjëherë ndrojtja e pasiguria në komunikimin me teleshikuesin. Prandaj duhet të impenjohen për të qenë edhe komunikatorë të mirë. Besimtarët e presin këtë impenjim të ri prej tyre, në një botë ku roli i ekranit të vogël zë një vend gjithnjë më të madh në jetën e njerëzve.
Konferenca Ipeshkvnore e Anglisë dhe e Galesit ka kërkuar nga qeveria ta çmontojë arsenalin bërthamor.
Kërkesa vjen shtatë muaj pas veprimit të njëjtë të ipeshkvijve skocezë. Prelatët , duke mbështeur Papën, pohojnë se armët bërthamore nuk e garantojnë sigurinë e atyre që i kanë, e aq më pak paqen në botë.
Të jetohet më thjeshtë: ky është titulli i fushatës që filloi këto ditë në Angli e në Gales, frymëzuar nga organizata të ndryshme katolike. Ka për qëllim t’i bindë qytetarët anglezë të jetojnë më thjeshtë, duke dhënë ndihmesën e tyre për një tregti solidare dhe për shlyerjen e borxhit të jashtëm të vendeve të botës së tretë.
Kardinalit Péter Erdò, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit Dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore hungareze iu dorëzua Çmimi “Për hebrenjtë në Hungari”.
Motivacini është: “Për forcimin e dialogut ndërmjet Kishës katolike e bashkësisë hebraike dhe për ruajtjen e kujtimit të hebrenjeve të vrarë gjatë holokaustit e të atyre që i shpëtuan”. Është hera e parë që një çmim i tillë i jept një anëtari të bashkësisë katolike.
Në Itali praktikohen më se 600 fe të ndryshme: këtë njoftim e jep Raporti i CESNUR (Qëndrës së studimit të feve të reja), që nënvizon se rritet gjithnjë më shumë numri i dëshmitarëve të Jehovait, të cilët tashmë kanë në dispozicion të ashtuquajturat “Sallat e mbretërisë” në gjuhën arabe, i islamikëve e i ortodoksëve.
Vëllimi “Fetë në Itali” analizon edhe grupet që praktikojnë okultizmin e spiritizmin. Thekson edhe se për shtimin e besimtarëve të feve të reja në Itali ndikon fuqimisht dyndja e emigrantëve. Kështu në Itali nisin të pratikohen deri variante të reja të fesë islame e ortodokse. Madje në Raport shënohet se me mundësitë e reja për të fituar nënshtetësinë italiane, numri i myslimanëve në Itali, që deri tani është 925 mijë vetë, në vitin 2008 mund të arrijë deri në një milion vetë .
Vijnë pastaj besimtarë që besojnë në mësime fetare të marra aty këty, që nga Papa tek Dalai Lama.
Nuk mund të ketë drejtësi, ku s’ka jetë: të enjten e kaluar ndër 500 qytete të botës u organizua takimi për t’i thënë ‘jo’ dënimit me vdekje. Është e pesta here që organizohet një takim i tillë, i organizuar nga e Bashkësia e Shën Egjidit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.