Zgjidhja e problemit palestinez në "Forumin për të ardhmen" në Jordani e lajme të
tjera.
(01.12.06 RV) Zgjidhja e problemit palestinez është kushti i vendosur nga vendet
arabe për të marrë pjesë në normalizimin e Irakut. “Forumi për të ardhmen” që
u mbajt sot në Shuneh, në brigjet jordaneze të Detit të Zi, përfundoi pa asnjë rezultat
konkret, por me deklaratën se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mund të thyhet zinxhiri
i konflikteve, që shkon nga Palestina në Afganistan, duke kaluar në Liban e Irak.
36 ministrat e jashtëm të G8-ës dhe të Lindjes së Mesme u konfrontuan mbi temat e
“nxehta” të zonës, si Iraku e kriza izraelito-palestineze. Nesër, pas 3 vjet e gjysëm
në Nasiri, përfundon misioni italian në Irak e kthehet në shtëpi edhe ushtari i fundit.
Fillon
sot turneu i ri në Lindjen e Mesme, i Përfaqësuesit të Lartë evropian për politikën
e jashtme, Havier Solana. Ai shkon fillimisht në Jordani e më pas në Gaza e Izrael.
Do të takohet me presidentin palestinez Abu Mazen dhe me kryeministrin izraelit Ehud
Olmert. Ky udhëtim bëhet në kuadrin e shpresave të reja që lindën nga vendosja e armëpushimit
ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve. Solana mori pjesë sot në “Forumin për të ardhmen”,
ku pati takime dypalëshe me ministrat e jashtëm të Gjirit Persik.
U
zhvillua sot një manifestim imponent i shiitëve në sheshin e Martirëve në Bejrut
të Libanit. Një milion e gjysëm përkrahësit e lëvizjeve pro-siriane, hezbollah dhe
amal kërkuan dorëheqjen e qeverisë së kryesuar nga Fuad Siniora, e cila mbështetet
nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Pas manifestimit filloi një sit-in, që demonstruesit
kanë për qëllim ta vazhdojnë derisa qeveria të japë dorëheqjen.
Tragjedi
në Filipine. Në lindje të vendit tajfuni i djeshëm “Durian” ka shkaktuar vdekjen
e rreth 400 vetëve e plagosjen e shumë të tjerëve. Papa Benedikti XVI i ka dërguar
nuncit apostolik në Filipine, një telegram ngushëllimi, me të cilin ia beson viktimat
mëshirës hyjnore e lutet për familjarët. Ka filluar tashmë solidariteti ndërkombëtar
për të ndihmuar popullsinë e zonës, por është akoma e vështirë të hysh në territor
për shkak të detriteve të shpërndara në rrugët e komunikimit.