2006-12-01 18:39:24

Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen për viktimat e tifonit Durian në Filipine.


(1.12.2006 RV)Tragjedi e vërtetë: në pjesën lindore të vendit tifoni ‘Durian’ shkaktoi vdekjen e më se 394 personave, në sa 90 të tjerë konsiderohen të humbur. Fshatra të tëra janë fshirë nga faqja e dheut, të varrosura nën tonelata gurësh, hiri e balte, pasojë e shpërthimit të vullkanit Maion, nisur që në gushtin e kaluar. Shumë njerëz kërkojnë shpëtim në majë të çative të shtëpive, drejt të cilave qeveria ka nisur për ndihmë ushtrinë. Por arritja e ndihmave nuk është aspak e lehtë, sepse rrugët kryesore të komunikimit janë bërë të pakalueshme. Megjithatë nuk mungojnë shpresat: ndërmjet gërmadhave të një shtëpie u gjet gjallë e u shpëtua një foshnjë dy muajshe.
E shenjë shprese është edhe telegrami i Papës: Ati i Shenjtë, si e mori vesh lajmin, i dërgoi nuncit apostolik në Filipine, imzot Fernando Filonit, një telegram, nënshkruar nga kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Përmes telegramit, Benedikti XVI ia beson viktimat mëshirës hyjnore dhe lutet që popullsisë t’i arrijë sa më shpejt ndihma e nevojshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.