Galiç burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës; Në Budapest takim mbi statusin e Kosovës.
(01.12.06 RV) Komandati i rrethimit serb të Sarajevës, Stanisllav Galic dënohet
me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës. Është hera e parë që kjo gjykatë
jep një dënim të tillë. Ish-gjeneral/majori i ushtrisë së serbëve boshnjakë ishte
dënuar me 20 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë, por procesi i apelit e rëndoi
dënimin, sepse rrethimi i Sarajevës ka qenë më i gjati e më i tmerrshmi pas Luftës
II Botërore. Forcat e udhëhequra nga Galic kanë pasur qëllimin e qartë që të terrorizojnë
popullsinë civile.
Nesër e pasnesër, në Budapest të Hungarisë do të
zhvillohet një takim i nivelit të lartë ndërmjet krerëve politikë të Evropës Juglindore
për statusin e Kosovës. Tryeza e rrumbullakët me temë “Shumicat dhe pakicat e
reja në Ballkanin që po ndryshon” është organizuar nga Projekti për Marrëdhëniet Etnike
me seli në Prinston të SHBA-së. Të pranishëm, përfaqësues nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina,
Kroacia, Greqia, Hungaria, Italia, Macedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Zvicra dhe
SHBA-ja. Natyrisht do të marrin pjesë krerë politikë nga Kosova, si shqiptarë, ashtu
edhe serbë, zyrtarë të lartë të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, OSBE-së
dhe Kombeve të Bashkuara.