2006-12-01 18:38:51

Benedikti XVI u largua nga Turqia duke falënderuar Zotin që mundi të ndihmojë dialogun e duke theksuar se Kisha nuk imponon asgjë, por kërkon lirinë e kumtimit.


(1.12.2006 RV)Falënderoj Zotin për ndihmën që munda t’i jap dialogut me udhëtimin tim në Turqi, “urë ndërmjet Azisë dhe Evropës”: me këto fjalë Benedikti XVI u përshëndet me Stambollin, i përcjellur nga entuziazmi i bashkësisë katolike, fryma e vëllazërisë e Kishës ortodokse dhe vlerësimi i përgjithshëm i autoriteteve myslimane - dhe u kthye në Vatikan.
Avioni Boeing 737-800 i Turkish Airlines, me të cilin udhëtoi Benedikti XVI, arriti në aeroportin romak të Çampinos rreth orës 14. 20. Për ta pritur Papën kishin dalë Kardinali vikar, Kamilo Ruini dhe kryeministri italian, Romano Prodi. Prej aeroportit, Ati i Shenjtë u kthye me elikopter në Vatikan, në përfundim të një vizite që lë pas kujtime shumë të gjalla, të ndryshme e domethënëse. Etapa e fundit ishte ajo paradites së sotme kur, pak para se të nisej për Romë, Benedikti XVI u përshëndet me përzemërsi të dukshme, në një sallë të aeroportit të Stambollit, nga ipeshkvijtë e Turqisë, nga autoritetet lokale, nga Patriku Ekumenik Bartolomeu I dhe nga prijës të tjerë të kishave ortodokse. I ndjeshëm gëzimi i Papës për suksesin e shtegtimit edhe në telegramet drejtuar presidentëve të vendeve mbi të cilat fluturonte avioni në rrugën e kthimit. Në mesazhet drejtuar presidentëve të Greqisë e të Shqipërisë, ndjehet mirënjohja ndaj Zotit për këtë përvojë të re të bashkimit kishtar që përfundoi sot paradite, kur Benedikti XVI, i rrethuar nga përzemërsia e përgjithshme, kryesoi Meshën në Kishën e vogël të Shpirtit Shenjt të Stambollit.
Në telegramin drejtuar Shkelqësisë së Tij, gjeneral Alfred Moisiut gjatë fluturimit të kthimit nga Turqia mbi trojet shqiptare, Papa e përshëndet përzemërsisht atë dhe të gjithë nënshtetasve të tij, duke e siguruar se i lutet Zotit të gjithëpushtetshëm për mirëqenien e popullit shqiptar, të cilit i jep bekimin e tij apostolik.
Por, të kthehemi tek ngjarjet e fundit të paradites së sotme, në kronikën e të dërguarit tonë në Stamboll, Pietro Koko:
“Zemra ime është plot mirënjohje e një pjesë të saj po e lë në Stamboll. Kështu i përmblodhi Papa katër ditët që kaloi në Turqi, duke u nisur nga aeroporti i qytetit. Në një bisedim informal, por shumë të përzemërt me governatorin e Stambollit, Muhamer Guler, Benedikti XVI ripohoi se për barinë e Kishës katolike dialogu është detyrë:
“I jam shumë mirënjohës Zotit që munda të jap një shenjë të këtij dialogu e kështu të ndihmoj për thellimin e mirëkuptimit ndërmjet feve e kulturave e, posaçërisht, të kuptimit më të mirë të Islamit nga ana e të krishterëve”.
Detyrë impenjative kjo, të cilën Papa ia ngarkoi për të ardhmen bashkësisë katolike, të vogël, por plot gjallëri, që sot paradite u mblodh rreth tij në katedralen e Shpirtit Shenjt në Stamboll. Ishin të pranishëm vetëm 1200 besimtarë, por shumë të tjerë, që nuk munden të hynin për mungesë vendi, e ndoqën kremtimin nga ekranet e vendosura në Kishën e Shëna Ndout. Benedikti XVI u kujtoi, me fjalët e Shën Palit, se “Shpirti Shenjt është burimi i vazhdueshëm i fesë sonë e i bashkimit tonë”. E kjo do të thotë se nuk duhet të jetojmë vetëm për vetveten, por të bëhemi, ashtu si Jezusi, shërbëtorë të vëllezërve tanë:
“Misioni i Kishës nuk është të mbrojë pushtete, as të grumbullojë pasuri; misioni i saj është të dhurojë Krishtin, të marrë pjesë në jetën e Krishtit, pasuria më e çmuar e njeriut, që Hyji vetë na jep përmes Birit të tij”.
Fjalët e Papës u shqiptuan në katedrale, fare pranë Nunciaturës Apostolike të Stambollit me emrin “Shtëpia Ronkali”, në kujtim të Delegatit Apostolik, Angjelo Ronkali, që ka lënë mbresa të thella në kujtesën e bashkësisë së besimtarëve katolikë të të gjitha riteve: armenë, kaldej, sirë, latinë. Prandaj, para se hynte në katedrale, Papa bekoi një shtatore të Gjonit XXIII që do të vendoset në kishën e Shëna Ndout me rastin e njëqindvjetorit të saj.
Gjatë kremtimit të paradites së sotme krijuan emocione të thella këngët në gjuhën armene, siriane e kaldeje që, së bashku me këngët latine, shoqëruan liturgjinë: ndërmjet këngëtarëve ishte edhe një grup vajzash refugjate nga Iraku, të strehuara, së bashku me familjet e tyre, nga Karitasi i Turqisë.
Pasi përshëndeti Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I dhe Patrikun Armen Apostolik, Mesrobin II, të pranishëm në katedrale, Benedikti XVI kujtoi se perspektiva ekumenike mbetet një nga detyrat e tij kishtare kryesore dhe e ftoi mbarë Kishën, edhe në Turqi, të ecë vazhdimisht në rrugën që çon drejt bashkimit, për të mirën e të gjithëve.
Bashkësisë katolike turke, por edhe autoriteteve civile e politike, të cilat i falënderoi për mikpritjen si dhe qytetarëve të Stambollit, Papa iu drejtua me këto fjalë:
“Ju e dini se Kisha nuk dëshiron t’i imponojë gjë askujt e se Kisha kërkon vetëm të jetojë lirisht për të zbuluar atë, që nuk mund ta fshehë, Krishtin Jezus, i cili na deshi deri në fund të fundit mbi Kryq e na dha Shpirtin e vet, prani e gjallë e Hyjit mes nesh e në thellësi të shpirtit tonë. T’ia hapni gjithnjë më shumë zemrat Shpirtit të Krishtit e për më tepër, të jeni të vëmendshëm ndaj atyre që kanë etje për drejtësi, për paqe, për dinjitet, për përfillje ndaj tyre e vëllezërve të tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.