2006-11-30 19:08:26

Komenti i drejtorit të Sallës vatikanase së Shtypit, atë Federiko Lombardit, mbi ngjarjet e fundit.


(30.11.2006 RV) Mbi ngjarjet e ditës së tretë të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Turqi, të ndjekim komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardit, drejtor i përgjithshëm edhe i Radios sonë:
Përgjigje: - Është ngjarje e madhe, që bën pjesë në traditën tashmë të konsoliduar të takimeve të papëve me patrikët e Kostandinopojës. Besoj se është takimi i dhjetë ndërmjet një pape e një patriku, që kur Pali VI u takua me Atenagorën në Jeruzalem. E prandaj mund të themi se tashmë takimi është bërë traditë. Ky çast ishte shumë i bukur e shumë i ngarkuar me emocione. Përveç shkëlqimit të liturgjisë së madhe të festës së Shën Andreut këtu, në katedralen e Shën Gjergjit, ngjallen emocione të fuqishme edhe fjalimet, me përmbajtje të thellë e domethënëse. Vjen pastaj Deklarata e përbashkët me shumë arguente, jo aq doktrinore, sa baritore e praktike mbi misionin e kishave të krishtera në botën e sotme. Mision ky tejet i rëndësishëm, pikërisht sepse është në shërbim të Ungjillit në një kohë shekullarizimi. Është mision për ruajtjen dhe rigjallërimin e rrënjëve të krishtera të Evropës, në procesin e sotëm të bashkimit të Kontinentit, por edhe shërbim për paqen, për të mirën e njeriut, për të gjitha problemet e njerëzimit të sotëm. Njëkohësisht tërheq vëmendjen për të ruajtur të gjallë traditën e krishterë, jo vetëm në mbarë Evropën, por edhe, e në mënyrë të veçantë, në këto troje, ku nisin rrënjët historike të krishtera, aq të rëndësishme për të gjithë.
 Pyetje: - Sapo kanë përfunduar ngjarjet me rëndësi të madhe simbolike: vizita e Benediktit XVI në Muzeun e Shën Sofisë dhe në Xhaminë Blu. Ç’kuptim kanë këto çaste për mbarë njerëzimin?

Përgjigje: - Janë çaste që flasin për njohjen e historisë dhe të aktualitetit të këtij vendi, të trashëgimisë së tij kulturore e fetare që, përmes shekujsh, ka kaluar përvoja nga më të ndryshmet. Natyrisht në një shtegtim kaq të ndërlikuar e të ngarkuar me ngjarje dhe emocione, edhe këto dy akte, në të cilat ndjehet fuqimisht afërsia, flasin për madhështinë e historisë së Turqisë. E vetë fakti që Benedikti XVI, me respekt e ndjenja miqësore, po përshkon simbolikisht shekuj e përvoja të ndryshme shpirtërore të këtij vendi, është shenjë vazhdimësie e shprese”.







All the contents on this site are copyrighted ©.