2006-11-30 19:13:57

Dy ngjarje historike ndërfetare: Papa viziton Muzeun e Shën Sofisë dhe lutet në Xhaminë Blu të Stambollit. Zoti është Një, na ndriçoftë në udhën e paqës.


(30.11.2006 RV)RealAudioMP3 Gjatë vizitës në Muzeun e Shën Sofisë, Kisha më e madhe e Lindjes, kthyer në xhami nga otomanët e në muze nga Atatyrku, Papa pati rastin të sodiste mozaikun e famshëm të Zojës së Bekuar me Krishtin Fëmijë, të Krishtit Pantokrator, kupolën 51 metra të lartë e 31 të gjërë dhe shumë mrekulli të tjera arti. Në përfundim të vizitës, Shenjtëria e Tij shkroi në librin artë të Shën Sofisë shtatë radhë me shkrimin e tij të imtë. Poshtë tyre, firma historike: Benedikti XVI.
Zgjati 20 minuta vizita e Benediktit XVI në Xhaminë Blu të Stambollit, tempulli më i rëndësishëm islamik i qytetit, ndërtuar ndërmjet viteve 1603-1613, që quhet me këtë emër, për shkak të mozaikëve blu që veshin tavanin, muret e kupolat. Para se të hynte në Tempull, Benedikti XVI dhe të gjithë ata që e shoqëronin, hoqën këpucët. Papa mbathi një palë papuçe të bardha.
Sipas njoftimit të Atë Lombardit, kur u ndodhën para mihrabit të Xhamisë Blu, Papa dhe Myftiu u zhytën në meditim të heshtur e sigurisht duhet t’i kenë lartuar mendimet kah Zoti”. “Kjo vizitë do të na ndihmojë të gjejmë mënyrat e rrugët e paqes, për të mirën e njerëzimit “ – i tha Papa Myftiut të Stambollit, Mustafa Kagriçit, që e priti në Xhaminë Blu. E të njëjtin koncept e përsëriti edhe më pas, duke i dorëzuar Myftiut të Madh dhuratën e tij, një pikturë me katër pëllumba të bardhë, simbol i paqes. Kjo pikturë – shpjegoi Benedikti XVI – është mesazh vëllazërie, shenjë kujtimi i një vizite të cilën sigurisht nuk do ta harroj”. E ndërsa Papa dhe Myftiu i Madh shkëmbenin këtë simbol paqeje, që respektonte aq shumë traditën islamike të artit, veprimtarinë e ndiqnin mijëra teleshikues nga të katër anët e Turqisë e të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.