2006-11-29 18:32:31

‘Ecni në rrugën e dashurisë’, bazë në marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Romës e të Kostandinopojës – nënvizuar nga Papa në Kishën e Shën Gjergjit.


(29.11.2006 RV)Sot pasdite në Stamboll Papa për vizitë lutjeje në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit e takimi me Patrikun Ekumenik Bartolomeun I. Stambolli, me 13 milion banorë, është i vetmi qytet në botë që shtrihet ndërmjet dy kontinenteve, Azisë dhe Evropës, në të dy brigjet e Bosforit, i cili lidh Detin e Zi me Mesdheun.
I themeluar në vitin 667 para Krishtit nga kolonët grekë, në fillim u quajt Byzantion, për nder të mbretit grek Byzantas. U përfshi në Perandorinë romake në vitin 196. Nisi të thirrej me emrin grek Kostandinopoli, që do të thotë “Qyteti i Kostandinit” pas vitit 330, kur u shpall kryeqytet i Perandorisë romake. Gjatë Mesjetës, Kostandinopoja ishte qyteti më i madh e më i pasur i Evropës. Mendohet se në shekullin X kishte më se një milion banorë. I rrethuar me fortesa të fuqishme, qyteti i madh mbeti i paprekur deri më 1204, kur u plaçkit nga ushtritë e Kryqëzatës së katërt e më pas, deri më 1453, kur ra në dorë të otomanëve të udhëhequr nga Sulltan Mehmet Pushtuesi, i cili e bëri kryeqytet të Perandorisë otomane. Nën sundimin e perandorëve otomanë Kostandinopoli u quajt Stamboll dhe rifilloi të shkëlqente si seli e Kalifatit, por duke mbetur gjithnjë edhe seli e Patriarkanës greko-ortodokse. Perandoria otomane, e mundur në Luftën I Botërore, mori fund më 1 nëntor 1922. Më 1923 u themelua Republika turke, kryeqyteti i së cilës u bë Ankaraja. Gjatë shekujsh Stambolli u rrit e u zbukurua. Lindën lagje të reja, veprimtari të reja e monumente të reja. Sot qyteti, që rri kaluar ndërmjet dy Kontinenteve, është shumë i përmendur jo vetëm për bukuritë e natyrës, por edhe për monumente të famshme si Bazilika e Shën Sofisë dhe Xhamia blu, të cilat Papa do t’i vizitojë nesër, si dhe Selia e Sulltanëve. I famshëm është pastaj Briri i Artë, kanal me gjatësi 7 kilometra në brigjet e të cilit shtrihet qëndra historike, shpallur nga UNESCO ‘pasuri botërore e njerëzimit’. Monumente të tjera të denja për t’u kujtuar janë Muret teodosiane, Karie Kamii, ish-kisha e Shën Shëlbuesit të Arave, shndërruar në xhami në shekullin XV; Dollmabahçe-Saraj, seli e fundme e sulltanëve e monumente të tjera, që tërheqin shtegtarë nga mbarë bota.
Papa arriti në aeroportin e Stambollit në orën 18. 30 me orën vendase. Për ta pritur kishin dalë Governatori i qytetit, Komandanti ushtarak dhe Kryetari i Bashkisë së Stambollit. Natyrisht ishin të pranishëm edhe ipeshkvijtë katolikë të qytetit e sidomos, Patriku Ekumenik, Shenjtëria e Tij Bartolomeu I, i shoqëruar nga dy metropolitë: Patriku Armen Apostolik, Fortlumturia e Tij Mesrobi II Mutafian dhe Vikari Patriarkal Siro-ortodoks, Metropoliti Filuksinos Jusuf Çetin.
Kujtojmë se Patriku Ekumenik, Demetrios Arkondonis ka lindur në vitin 1940 në ishullin e Imvros në Detin Egje (sot Gëkçeada në Turqi). Nënshteas turk, që i përket bashkësisë greke të Turqisë, ka studiuar në Shkollën teologjike të Halkisë (1961), në Institutin Papnor Lindor në Romë, në Institutin Ekumenik të Bosit dhe në Universitetin e Munihut.
Pas ngjitjes së shpejtë të shkallëve të hjerakisë kishtare, më 29 qershor 1995 (festa liturgjike e Shën Pjetrit e Shën Palit) u zgjodh i 270-ti pasardhës i Shëna Ndreut dhe mori emrin Bartolomeu I. U bë i njohur për impenjimin në favor të bashkëpunimit ndër-ortodoks, të dialogut ekumenik dhe në betejën ekologjike për mbrojtjen e gjithësisë.
Është i parë ndërmjet të parëve në Kishën ortodokse, që sot numron rreth 300 milion besimtarë, të pranishëm kryesisht në Evropën lindore e në Lindjen e Mesme. Është një lloj konfederate ndërkombëtare, e përbërë nga kisha të ndryshme patriarkale, që ruajnë pavarësinë e tyre, ndonëse i lidh ngusht shpirti i së njëjtës fe në të cilën besojnë.
Termi ‘ortodoks’ u përdor për herë të parë nga të krishterët grekë në shekullin IV vetëm për të dalluar fenë kanonike të doktrinave heterodokse. Ortodokse quhen edhe disa Kisha lindore, të ndara në shekullin V, pas kundërvënies monofizite.
Kishat ortodokse udhëhiqen nga Patriku, titull që nisi të përdorej nga pesë Kishat e para: Kisha e Romës, e Kostandinopojës, e Aleksandrisë, e Antiokisë, dhe e Jeruzalemit: Pentarkia e themeluar nën Justinianin (527-565). Këtë titull më pas e morën edhe Metropoliti i Moskës (shekulli XV), kryeipeshkopët e Serbisë e të Bullgarisë (fillimi shekullit XX), si dhe kryepeshkopi i Kishës së Rumanisë (gjysma e shekullit XX).
Patriarkana ekumenike është selia më e lartë dhe qëndra e ortodoksisë në mbarë botën.
Por, të kthehemi në aeroportin e Stambollit, prej nga Papa u nis menjëherë për në selinë e Patriarkanës ekumenike e cila në shekuj ka qenë e vendosur pranë Katedrales së Shën Sofisë. Por, pas rënies së Kostandinopojës, më 1453, u zhvendos në lagje të tjera të Stambollit. Që nga viti 1601 ndodhet në lagjen e Fanarit.
Pranë Patriarkanës, më 1720, u ngrit Kisha e Shën Gjergjit, në qëndër të veprimtarive papnore të pasdites së sotme dhe të paradites së nesërme.
Këtu sot pasdite Ati i Shenjtë bëri një “akolouthia” të shkurtër, apo një vizitë lutjeje, hartuar për këtë rast, me elemente të ndryshme nga orë e festa të Kishës bizantine. Në fillim u kënduan shtatë antifona, më pas u lexua një fragment nga Libri i Zakarisë (Zk. 8, 7- 17) në të cilin Profeti u bën thirrje popujve të Lindjes e të Perëndimit të mblidhen në Jeruzalem. Pastaj përshëndetën Patriku Ekumenik Bartolomeu I dhe Benedikti XVI. Në krye të përshëndetjes së Papës, brohoritja psalmike, aq aktuale për vendin e kohën kur shqiptohej: “Oh, sa punë e mirë e gjë e bukur është, kur vëllezërit jetojnë së bashku!” dhe menjëherë pas, falënderimi drejtuar Zotit për dhuratën e këtij takimi, përplot me vullnet të mirë e me domethënie kishtare. Prej këndej Papa nuk mund të mos kujtonte ngjarjet më të rëndësishme në impenjimin e katolikëve dhe ortodoksëve për të punuar së bashku, ndër të cilat, një nga më kryesoret: vendimin për të zhdukur kujtimin e anatemave, apo të mallkimeve, të vitit 1054.
“Deklarata e përbashkët e Palit VI dhe Patrikut Atenagora, e shkruar me frymën e një dashurie të rizbuluar - kujtoi me emocion Papa Racinger – u lexua solemnisht në një kremtim të mbajtur njëkohësisht në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë dhe në këtë Katedrale Patriarkale. Deklarata e Patrikut bazohej mbi dëshminë e Shën Gjonit: ‘Ho Theós agapé estín’ (‘Zoti është dashuri’), ajo e Papës Pali VI, mbi dëshminë e Shën PalitAmbulate in dilectione’ (‘Ecni në rrugët e dashurisë’). Mbi këtë bazë vijuan të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostandinopojës. E këto shenja dashurie janë të pranishme në deklarata të shumta e në gjeste plot domethënie – tha Benedikti XVI – duke kujtuar në vijim vizitën e Palit VI e të Gjon Palit II në Kishën e Shën Gjergjit, të shoqëruar përkatësisht nga Patrikët Atenagora I dhe Dhimitri I, në përpjekjen për t’i dhënë një shtytje të re mirëkuptimit reciprok dhe kërkimit të bashkimit të plotë.
Më pas Benedikti XVI kujtoi se këto troje lidhen ngusht me fenë e krishterë, sepse këtu, që në kohët e para të krishterimit, lulëzuan shumë bashkësi të krishtera, që nga ajo e Pontit - tek bashkësia e Bitinisë, prej nga dolën martirë, teologë, murgjër, burra e gra të shenjta.
Në këto vise të Botës lindore u mbajtën Koncile Ekumenike të rëndësishme, të njohura si nga ortodoksët, ashtu edhe nga katolikët, të cilat mbeten gurë kilometrikë në rrugën drejt bashkimit të plotë – vijoi të kujtonte Papa, dhe në përfundim uroi që ky takim të thellojë impenjimin e përbashkët për vijimin e rrugës që çon drejt pajtimit e paqes ndërmjet Kishave.
Përfundoi, kështu, edhe Dita II e shtegtimit të pestë Apostolik të Papës Benedikti XVI në Turqi. Tani Ati i Shenjtë ndodhet në Përfaqësinë Papnore të Stambollit, që njihet me emrin “Shtëpa Ronkali”, ku përgatitet shpirtërisht për ditën e tretë, më të rëndësishmen – e shtegtimit të tij të pestë apostolik, kur do të shkelë në Xhaminë Blu, nën shenjën e dialogut ndërfetar, që është burim i paqes dhe i vëllazërimit ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme. Atje nesër do të drejtohen sytë e botës mbarë.Nesër paradite, gjithnjë në Stamboll, Papa do të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit: këtu do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një Deklarate të përbashkët. Benedikti XVI do të drekojë me Bartolomeun I pranë Patriarkanës. Pasdite do të vizitojë muzeun e Shën Sofisë; më pas do të shkojë për një vizitë lutjeje në katedralen armene apostolike, ku do të takohet me Patrikun Mesrob II. Pranë përfaqësisë papnore, Ati i Shenjtë do të takohet me Metropolitin siro-ortodoks dhe me Rabinin e madh të Turqisë. Në mbrëmje-takimi dhe darka me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Turqisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.