2006-11-29 18:37:18

NATO: statusi i Kosovës i pranueshëm për popullsinë.


(29.11.06 RV) Në Rigë të Letonisë përfundoi sot samiti i NATO-s, në të cilin u diskutua edhe çështja e Kosovës. Pas premtimit se vendet e Kartës së Adriatikut, pra Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, do të marrin ftesë për anëtarësim në vitin 2008, nëse plotësojnë kriteret, edhe Serbia e Bosnjë-Hercegovina mundën të përfitonin nga politika më e zbutur e Paktit të Atllantikut ndaj tyre. Ato u ftuan në nismën e Partneritetit për Paqe, me kusht që të bashkëpunojnë me Gjykatën e Hagës. Një ofertë e tillë i është bërë edhe Malit të Zi. Menjëherë pas kësaj deklarate, kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte kritikoi ashpër vendimin, duke theksuar se ai tingëllon si një lloj shpërblimi për mosbashkëpunimin mbi dorëzimin e kriminelëve të luftës. Por më hollësisht nga Riga, të dëgjojmë Gjeraqina Tuhinën.RealAudioMP3


Vazhdon përpjekja politike e autoriteteve të Kosovës për të gjetur përkrahjen e fuqive kryesore të botës për pavarësinë e vendit.
Kryeministri Agim Çeku mbërrin sot për një vizitë në Rusi, ku do të zhvillojë takime të rëndësishme, me përfaqësues të Qeverisë dhe Dumës ruse. Rusia është një nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe anëtare e Grupit të Kontaktit, prandaj roli i saj në procesin e statusit të Kosovës vlerësohet i lartë.
Ndërkaq dje, sekretari i ri i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që do të marrë mandatin pesëvjeçar në janar, diplomati jug-korean, Ban Ki Mun, priti presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai vlerësoi informacionin e marrë nga Sejdiu, i cili theksoi se dokumenti ndërkombëtar që do të përcaktojë statusin e Kosovës duhet të respektojë vullnetin e popullit të saj.
Edhe politika ndërkombëtare lëviz për të kuptuar më mirë të ardhmen e Kosovës. Ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema do të shkojë në Serbi më 4 dhjetor. Do të takohet me presidentin serb Boris Tadiç, kryeministrin Vojisllav Koshtunica dhe homologun e tij Vuk Drashkoviç. Në qendër të bisedimeve, çështja e Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.