2006-11-28 17:24:26

“Kam pasur gjithnjë dëshirë të vizitoj Turqinë, për të thelluar miqësinë me Selinë e Shenjtë: kështu u shpreh Benedikti XVI në fillim të shtegtimin e tij të pestë apostolik ndërkombëtar.


(28.11.2006 RV)Benedikti XVI ndodhet në trojet ku nxënësit e Jezusit u quajtën për herë të parë të krishterë. U nis sot në orën 9. 00 nga aeroporti romak i Fiumiçinos, për të arritur në orën 13. 00 ( me orën vendase) në aeroportin ndërkombëtar Esemboa të Ankarasë, duke filluar kështu shtegtimin e pestë apostolik ndërkombëtar. Tri janë përmasat kryesore të kësaj vizite: përmasa baritore, dmth takimi i Papës me grigjën e vogël katolike për ta përforcuar në fe, në një çast kur vërehen forma të reja intolerance fetare; përmasa ekumenike, dmth përqafimi me Patrikun Bartoleomeu I për të ripohuar përparësinë që ka ekumenizmi për këtë papni e, së fundi, përmasa ndërfetare nën shenjën e dialogut, për kapërcimin e kundërvënieve që janë vërejtur në shekuj ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve.
‘Ky nuk është udhëtim politik, por shtegtim baritor në shërbim të dialogut e të impenjimit të përbashkët për paqen”. Kështu e përcaktoi Benedikti XVI shtegtimin e tij të pestë apostolik ndërkombëtar, duke iu drejtuar gazetarëve nga bordi i avionit të Alitalias, pak para se të niste fluturimin drejt Ankarasë. Papa foli për dialogun ndërmjet ‘Kishës e Islamit’ dhe për dialogun me ‘vëllezërit tanë të krishterë’, duke vënë theksin mbi vlerën simbolike të takimeve miqësore dhe të impenjimit për paqe e vëllazërim. Ati i Shenjtë uroi që vizita e tij katërditore në Turqi të ndihmojë për thellimin e dialogut ndërmjet qytetërimeve e feve, posaçërisht ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.
Edhe në telegramin tradicional të përshëndetjes, drejtuar presidentit të Republikës italiane, Napolitano pak para nisjes, Ati i Shenjtë shkruan se po shkon në Turqi për t’u takuar me përfaqësuesit e popullit turk e, posaçërisht, me vëllezërit e motrat në fe si dhe për të inkurajuar dialogun ekumenik e ndërfetar.
Pas një fluturimi prej tri orësh mbi Itali, Shqipëri, Greqi e Turqi, avioni papnor u ndalua në Sheshin e ceremonive të aeroportit Asemboa të Ankarasë në orën 13. 00 me orën vendase, 12. 00 me orën evropiane. E ndërsa Ati i Shenjtë fluturonte mbi Shqipëri, në Tiranë arriti telegrami i përshëndetjes drejtuar Presidentit Moisiu, përmes të cilit Shenjtëria e Tij bekoi popullin shqiptar dhe i uroi paqe e përparim.
Por të rikthehemi në aeroportin e Ankarasë. Për ta pritur Atin e Shenjtë kishin dalë kryeministri Rexhep Taip Erdoan, zevendës kryeministri dhe disa ministra si dhe personalitete të tjera të larta politike e kishtare. Ishte e pranishme një piketë nderi së cilës Papa i drejtoi përshëndetjen e parë në gjuhën turke. Pastaj, në Sallën kryesore të pritjes të aeroportit, Ati i Shenjtë u takua me kryeministrin Erdoan. Bisedimi privat zgjati 25 minuta. Në aeroport nuk u pati ceremoni sepse, sipas protokollit turk, ceremonia e mirëseardhjes do të mbahej më pas në Pallatin presidencial.
Ati i Shenjtë u nis menjëherë për të vizituar muzeun e Atatyrkut, ndërtuar ndërmjet viteve 1944-1953, ku është varrosur njeriu që shpalli Republikën turke në vitin 1923 e që prandaj njihet si Atë i turqve. Kujtojmë se Mustafa Qemal Atatyrku, lindur në Selanik më 1881, vdekur në Stamboll më 1938, themelues dhe president i parë i Republikës turke, arriti ta shkëpusë rrënjësisht Turqinë nga e kaluara otomane dhe hodhi themelet e shtetit laik modern përmes masave energjike, duke shfuqizuar ligjin sipas të cilit islami ishte fe e shtetit e duke ndërtuar shtetin laik, Kushtetuta e të cilit, që zevendësoi Ligjin Koranik, u shpall më 5 shkurt 1937.
Në hyrjen madhështore të Muzeut, stolisur me figura luanësh prej guri sipas stilit hitit, Papa u prit nga Komandanti i Trupit të Rojeve. Hyri pastaj në Mauzole dhe vendosi një kurorë me lule mbi varrin e Atatyrkut. Më pas u shoqërua në sallën e “Tower National Pact”( Shtylla e paktit kombëtar) të Muzeut, ku vuri firmën në Librin e Artë dhe shkroi një frazë në kujtim të vizitës.
Nga Muzeu i Atatyrkut Ati i Shenjtë shkoi me veturë të mbyllur në Guest House (Shtëpinë se Mysafirëve) të Pallatit presidencial të Ankarasë e, më pas, në Pallatin presidencial, ku u prit nga Presidenti i Republikës, Ahmet Nexhdet Sezer. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, gjatë së cilës nuk u mbajtën fjalime, presidenti Sezer e shoqëroi Atin e Shenjtë në një nga sallat e Pallatit, ku u zhvillua bisedimi privat dhe u shkëmbyen dhuratat.
Pas këtij takimi, Papa u rikthye në Gues House ku u takua me zevendës-kryeministrin Mehmet Ali Shahin, për t’i vijuar më pas veprimtaritë e ditës së parë të shtegtimit në selinë e Presidencës për çështje fetare “Dijanet’ të Ankarasë, organizëm që drejton e koordinon veprimtaritë e të gjitha xhamive të Turqisë. Këtu u takua me kryetarin për çështjet fetare, profesorin Ali Bardakolu, që e priti Atin e Shenjtë së bashku me disa autoritete të tjera fetare të bashkësisë islame turke. Në të morën pjesë e dhe kardinaj e ipeshkvij të grupit që e shoqëron Papën, i cili foli folur lirisht, siç flitet ndërmjet miqve.
Veprimtaria e fundit e ditës së parë të shtegtimit të pestë apostolik të Papës Benedikti XVI në Turqi, ishte takimi me Trupin Diplomatik, në nunciaturën apostolike. Gjatë këtij takimi Papa u kujtoi përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare kushtet që duhen plotësuar për sigurimin e paqes së Nesër, dita e dytë e shtegtimit, Ati i Shenjtë do të niset nga aeroporti i Ankarasë për të arritur në Smirnë: që këtu do të shkojë në Efez, ku në orët e vona të paradites do të kremtojë Meshën në shenjtëroren e Meryem Ana Evi, siç quhet turqisht “Shtëpia e Marisë”. Në Efez, në vitin e largët 431, u mbajt Koncili i famshëm, që e shpalli Virgjërën Mari ‘Theotokos’ – ‘Nënë e Hyjit’. Pasdite Papa do të riniset nga aeroporti i Smirnës, për të arritur në Stamboll, ku do të mbahet vizita e lutjes në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit si dhe takimi privat me Patrikun ekumenik, Bartolomeun I, të cilit Papa do t’i drejtojë përshëndetjen në selinë e Patriarkanës.








All the contents on this site are copyrighted ©.