2006-11-28 17:37:16

Benedikti XVI në Turqi: sintezë e fjalimit në takimin me përfaqësuesit e Islamit.


(28.11.2006 RV) Duke folur lirisht, siç flitet ndërmjet miqve, Papa shprehu kënaqësinë për këtë vizitë në një tokë të pasur me histori, kulturë, bukuri natyre e vepra arti, të krijuara në shekuj nga populli turk. Benedikti XVI kujtoi se në këtë vend të krishterët patën themeluar bashkësitë e para, të frymëzuar nga predikimi i Apostujve e se në Efez ishte shtëpia e Shën Gjonit, ku jetoi Virgjëra Mari, Nëna e Krishtit. Më pas – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – këtu lulëzoi qytetërimi islamik, e të dy qytetërimet në rrjedhë shekujsh lanë gjurmët e tyre në fushën e letërsisë, të artit e jo më pak edhe të institucioneve. U përgatita për këtë vizitë – shpjegoi Papa – me bindjen se po ec në gjurmët e paraardhësve të mi të nderuar, Gjonit XXIII, që gjatë shërbimit dhjetvjeçar si Delegat Apostolik në Turqi e desh dhe e nderoi popullin turk, por edhe të Palit VI dhe të Gjon Palit II, që gjatë vizitës së tij të 1979-tës, në periudhën e re të historisë së njerëzimit, pati theksuar urgjencën e dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve për ta njohur më mirë njëri-tjetrin dhe për të promovuar e për të mbrojtur së bashku vlerat morale, paqen e lirinë.
“E është pikërisht mbrojtja e këtyre vlerave - nënvizoi Benedikti XVI duke u folur përfaqësuesve të Islamit – që na shtyn ta çojmë përpara dialogun tonë i cili, siç kam kujtuar edhe gjatë takimit me bashkësinë myslimane në Këln – tashmë nuk është thjeshtë mundësi, por nevojë jetike nga e cila varet në një masë të madhe ardhmëria jonë”.
E baza mbi të cilën ngrihet respekti e nderimi reciprok si dhe mundësia e bashkëpunimit ndërmjet dy palëve në shërbim të paqes ndërmjet kombeve e popujve – vijoi Papa – është e vërteta mbi karakterin e shenjtë dhe dinjitetin e njeriut.
Benedikti XVI vijoi të kujtojë se marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë dhe të gjitha Kishave vendase në mbarë botën me ndjekësit e feve të tjera, frymëzohen dhe udhëhiqen nga mësimet e Koncilit II të Vatikanit. Sipas traditës biblike, Koncili mëson se gjithë gjinia njerëzore ka të njëjtën zanafillë e të njëjtin fat e se Zoti, Krijuesi ynë është edhe caku i fundmë i shtegtimit tonë mbi tokë. Të krishterët e myslimanët i përkasin familjes së atyre që besojnë në një Zot të vetëm e që, në përkim me traditat e tyre, e quajnë veten bij të një ati të përbashkët, Abrahamit. Ky unitet njerëzor e shpirtëror – tha Papa - na shtyn të kërkojmë rrugën e përbashkët për të përballuar sfidat e mëdha të njerëzimit, etjen për paqe, për drejtësi, zhvillim, solidaritet, liri, siguri, paqe, mbrojtjen e ambientit e të burimeve të tokës.
“Posaçërisht – theksoi Papa Racinger - mund t’i japim një përgjigje të besueshme pyetjes më të rëndësishme, që nuk mungon edhe në shoqërinë moderne, mbi domethënien dhe qëllimin që ka jeta për çdo njeri e për mbarë njerëzimin. Jemi të thirrur të punojmë së bashku, që ta ndihmojmë shoqërinë ta njohë Zotin e Gjithëpushtetshëm e t’i japë vendin që i takon”.
Mënyra më e mirë për të ecur përpara – vijoi Ati i Shenjtë - është rruga e dialogut të sinqertë ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, bazuar mbi të vërtetën, frymëzuar nga dëshira për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, duke respektuar ndryshimet e duke pranuar atë që kemi të përbashkët.
Si shembull të bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, Papa citoi disa fjalë të Gregorit VII drejtuar një princi mysliman në veri të Afrikës, i cili i trajtonte si vëllezër të krishterët e vendit të tij. Duke e falënderuar për këtë, Gregori VII i shkruante: “Ne besojmë e dëshmojmë një Zot të vetëm e, ndonëse në mënyra të ndryshme, e lavdërojmë dhe e adhurojmë çdo ditë si Krijues të shekujve e sundimtar të kësaj bote”.Benedikti XVI përfundoi duke theksuar se liria e fesë, e garantuar institucionalisht dhe e respektuar faktikisht, si për individët, ashtu edhe për bashkësitë, është themelore, sepse u krijon të gjithë besimtarëve kushtet e nevojshme për të dhënë kontributin e tyre në progresin e përgjithshëm të shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.