Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot shpreh nderim e miqësi për popullin turk. Reflektimin
shpirtëror ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.
(27.11.2006 RV) Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI foli kryesisht
për shtegtimin e tij Apostolik në Turqi, ku do të niset nesër. Papa ia besoj këtë
shtegtim mbrojtjes së paraardhësve të tij, në ditën kur liturgjia – me solemnitetin
e fundit të kohës gjatë vitit kishtar, kushtuar Krishtit Mbret, reflekton për ardhjen
e Jezusit në mbarimin e kohëve, ndërsa përgatitet për të kremtuar ardhjen e parë:
Krishtlindjen. Rruga për të arritur në Mbretërinë e Zotit – tha Benedikti XVI - bazohet
mbi lirinë e njeriut për ta mirëpritur të vërtetën dhe dashurinë e Krishtit, pa kërkuar
rrugë të shkurtëra. Por të kthehemi tek shtegtimi i afërt apostolik i Papës: “Pas
pak orësh, e pikërisht më 28 nëntor, në orën 13. 00 me orën vendase, avioni papnor,
sipas programit, do të prekë tokën turke në aeroportin e Ankarasë prandaj, si zakonisht
në rrethana të tilla, Benedikti XVI i bëri thirrje Kishës për lutje e afërsi shpirtërore
në këtë etapë të rëndësishme të papnisë së tij: etapë kishtare, ekumenike e ndërfetare. “Që
tani – tha Papa – dëshiroj t’i drejtoj një përshëndetje të përzemërt popullit
turk, të pasur me histori e kulturë; këtij populli e udhëheqësve të tij u shpreh ndjenja
nderimi e miqësie të sinqertë. Me emocion të thellë pres të takohem me bashkësinë
e vogël katolike, që e kam gjithnjë në zemër, e të takohem vëllazërisht edhe me Kishën
ortodokse, me rastin e festës së Shën Andreut Apostull. Plot besim po vihem për udhë
në gjurmët e paraardhësve të mi të nderuar, Palit VI dhe Gjon Palit II; e i lutem
të më nxjerrë hirin e ndihmës hyjnore - Gjonit XXIII, që gjatë shërbimit dhjetvjeçar
si Delegat Apostolik në Turqi e desh dhe e nderoi popullin turk. Juve të gjithëve
ju lutem të më shoqëroni me uratë, që ky shtegtim apostolik të sjellë për mbarë Kishën
frytet e dëshiruara nga Zoti”. Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti
XVI foli për domethënien e të dielës së fundit para Kohës së Ardhjes. Krishti – kujtoi
Papa - e zbuloi natyrën e tij të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para
Poncit Pilat. Ishte një mbret që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria
e mëkatit e t’i pajtonte me Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte
ardhur në botë “që të japë dëshmi për të vërtetën”. Po për cilën të vërtetë ? – pyeti
Benedikti XVI: “Gjithë jeta e tij zbulon se Zoti është dashuri: kjo, është pra,
e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të plotë me flijimin e vetë jetës mbi Kalvar.
Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri:
duke u fljiuar për faljen e mëkateve të botës, Ai e mposhti sundimin e ‘princit të
kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë e Hyjit”. E në se jeta e Jezusit
është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë
e njëjtë: “Rruga për të arritur në këtë cak është e gjatë e nuk pranon t’i biesh
për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit.
Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë:
trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin.
Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin
biblik të fjalës, dmth plan që zbulohet pak nga pak në histori”. Pas përshëndetjeve
në pesë gjuhë, Benedikti XVI foli kryesisht për dy kremtime të rëndësishme: Ditën
italiane kushtuar kërkimeve shkencore për sëmundjen e kancerit dhe Ditën botërore
kundër SIDËS, që do të kremtohet më 1 dhjetorin e ardhshëm: “Uroj nga zemra
– theksoi Papa - që një kremtim i tillë të favorizojë rritjen e përgjegjësisë në
mjekimin e sëmundjes, së bashku me impenjimin për shmangien e çdo diskriminimi ndaj
atyre që janë prekur prej saj. Ndërsa i lutem Zotit t’i ngushëllojë të sëmurët dhe
familjet e tyre, inkurajoj nismat e shumta të Kishës në këtë fushë”.