2006-11-25 16:01:19

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(26.11.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXXIV dhe të fundit të kohës gjatë vitit kishtar, për t’i hapur udhën Kohës së Ardhjes. Këtë të dielë Kisha ia kushton Krishtit Mbret.
U përkujtua sot edhe festa e Shën Siriçit, papë; e Shën Leonardit nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe e Shën Silvestrit, abat, themelues i silvestrinëve.
Nesër, e hënë, është festa e Shën Virgjilit, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e festës së Shenjtit na kujton se njerëzit që kanë zemrën e pastër, do të shohin Zotin.
Festa e Shën Jakut të Markjes, meshtar françeskan, që do të kremtohet të martën, na kujton se në historinë e njeriut gjithçka kalon: edhe gjërat më të mëdha e më të shenjta. Por besimtari në Krishtin nuk e humb kurrë shpresën në Zotin, me sigurinë se Zoti është mëshira e pambaruar.
Të mërkurën do të kremtohen Shën Saturnini, martir; Shën Juta e Shën Federiku, jeta e të cilëve na shtyn të meditojmë mbi rolin e të krishterëve në histori. Ata, ashtu si Zoti i tyre, janë shpesh shenjë kundërshtie. Por as keqkuptimet e as persekutimet nuk duhet t’i pengojnë për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Ungjilit
Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Andreut Apostull të enjten e ardhshme, kujtojmë se Shenjti qe ndër të parët që e ndoqën Krishtin. Ai, që la rrjetat e veta të peshkimit buzë detit të Galilesë, peshkoi më pas mijëra njerëz për Zotin, duke nisur nga i vëllai, Simon Pjetri.
Për besimtarët, vrojtimi i shenjave të kohës nuk është burim shqetësimi, por sigurie në ardhjen e mbretërisë së Zotit. Këtë na kujtojnë, të premten e ardhshme, Shën Eligji ipeshkëv i Nojonit dhe Shën Naumi profet në festën e tyre liturgjike.
Të shtunën do të kremtohen Shën Bibiana, matronë romake; Shën Pimeni martir dhe Shën Silveri papë. Na bëjnë thirrje të lutemi e të vigjëlojmë, për t’u ruajtur nga sëmundjet e shpirtit.










All the contents on this site are copyrighted ©.