Pasnesër fillon shtegtimi i Benediktit XVI në Turqi.
(26.11.2006 RV)Është shtegtimi i pestë
apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI. Tri janë përmasat kryesore të kësaj vizite,
siç shkruan në paraqitjen e Mesharit kryeipeshkvi Piero Marini, mjeshtër i kremtimeve
liturgjike papnore: përmasa baritore, dmth takimi i Papës me grigjën e vogël
katolike për ta përforcuar në fe, në një çast kur vërehen forma të reja intolerance
fetare; përmasa ekumenike, dmth përqafimi me Patrikun e Kostantinopojës, Bartoleomeun
I për të ripohuar përparësinë që ka ekumenizmi për këtë papni e, së fundi, përmasa
ndërfetare nën shenjën e dialogut, për kapërcimin e kundërvënieve që janë vërejtur
në shekuj ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve. Imzot Marini kujton
se nga këto troje filloi shtegtimi i madh i fesë: Abrahami la Harranin, një fshat
në Turqinë e sotme, duke i besuar plotësisht premtimeve të Zotit e u nis, pa e ditur
se ku po shkonte. Por duhet kujtuar edhe se Azia e vogël, që përkon pak a shumë me
Turqinë e sotme, qe edhe toka e parë e misionit për bashkësinë e krishterë. I nisur
nga Jeruzalemi, Shën Barnaba shkoi në Tars në Cilici, duke marrë me vete Shën Palin,
për të formuar, në Antioki, Kishën e parë të kësaj zone: këtu nxënësit e Krishtit
u quajtën për herë të parë të krishterë. Shën Pali është ungjillëzuesi i madh i këtyre
trojeve. Por lajmin e gëzueshëm të Ungjillit në këto vise e sollën edhe Shën Pjetri,
Shën Andreu e Shën Gjoni. Sipas traditës, Virgjëra Mari i kaloi ditët e fundit të
jetës në Efez, pranë Shën Gjonit, e pikërisht prej këtu u ngjit në qiell. Veprat
e Apostujve, Letra e Parë e Shën Pjetrit, Letrat e Shën Palit drejtuar Efezianëve,
Kolosianëve, Galatëve e Timoteut si dhe letra drejtuar shtatë kishave të Azisë në
Apokalipsin e Shën Gjonit, përshkruajnë jetën e vështirë të këtyre bashkësive të krishtera
jashtë Tokës Shenjte: atyre u duhet të mbijetojnë në mes të kulteve pagane, persekutimeve
të rënda dhe herezive, që nisin të duken që në lindjen e Kishës. Të gjithë ata që
duan të jetojnë plotësisht në Krishtin Jezus, do të persekutohen – i shkruan Shën
Pali Timoteut që jeton në Efez – por ti – vijon Apostulli - mbahu e kumtoje fjalën
në çaste të përshtatshme e të papërshtatshme. Shën Pali përdor shpesh një term: “parresia”,
që do të thotë të flasësh me guximin e bijve të Zotit, t’ia thuash ndër sy të vërtetën
të afërmit, sepse edhe në se ty të lidhin me zinxhirë, fjalën e Zotit nuk mund ta
mbërthejnë kurrë ndër pranga. Shën Pali nuk ka më frikë, që kur Jezusi ia revolucionarizoi
jetën në rrugën e Damaskut. “U kryqëzova me Krishtin – shkuan ai - e nuk jam më unë
që jetoj, por Krishti që jeton në mua”. Edhe Shën Pjetri u jep zemër besimtarëve të
këtyre trojeve, të tronditur nga persekutimet, shpifjet, talljet, padrejtësitë. I
nxit të jetojnë si njerëz të lirë e të sillen në mënyrë shembullore përballë paganëve,
pa ua kthyer të keqen me të keqe, të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo njeriu që do
të kërkonte prej tyre arsyen e shpresës që i mbushte plot me gëzim në këto rrethana
të padurueshme. Përballë persekutimeve, Shën Gjoni i ftonte bashkësitë e Azisë
ta mundin urrejtjen me dashuri, sepse ‘Zoti është Dashuri’. Ndërkaq, që në agimet
e krishterimit, shtoheshin mësuesët e rremë që përhapnin herezitë e para. Shën Pali
u shkruante Kolosianëve dhe Efezianëve, të ruheshin, të mos gënjeheshin e të mos shkonin
nga fryn era e doktrinave të gabuara, që nuk kishin të bënin me Krishtin. Përballë
persekutimeve dhe herezive, Shën Gjoni inkurajonte bashkësitë e krishtera të këtyre
trojeve e u jepte zemër me fjalët e vetë Krishtit: “Edhe pse nuk je i fortë, ti i
besove fjalës sime e nuk e mohove emrin tim. Do të vij shpejt. Fitimtarin do ta vë
si shtyllë në tempullin e Zotit tim e nuk do të dalë kurrë më prej aty”. Po rikujtojmë
shkurtimisht programin e shtegtimit të Atit të Shenjtë: Papa do të niset më 28
nëntor, në orën 9-të nga aeroporti romak i Fiumiçinos, për të arritur në orën 13.
00 në aeroportin ndërkombëtar Esemboga të Ankarasë. Etapa e parë – vizita në muzeun
e Ataturkut, ceremonia e mirëseardhjes, vizita tek presidenti i Republikës dhe takimi
me zevendës-kryeministrin e me kryetarin për çështjet fetare, në selinë e këtij
të fundit, ku Papa do të mbajë një fjalim. Gjithnjë në Ankara, në nunciaturën apostolike,
Benedikti XVI do të takohet me Trupin diplomatik. Paraditen e 29 nëntorit Ati
i Shenjtë do të niset për në Smirnë: që këtu do të shkojë në Efez, ku do të kremtojë
Meshën shenjte. Pasdite do të riniset për në Stamboll, ku do të mbahet vizita
e lutjes në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit si dhe takimi privat me Patrikun ekumenik
të Kostantinopojës, Bartolomeun I. Paraditen e së enjtes, 30 nëntor, në Stamboll,
Papa do të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit:
këtu do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një Deklarate të përbashkët. Benedikti
XVI do të drekojë me Bartolomeun I pranë patriarkanës. Pasdite do të vizitojë muzeun
e Shën Sofisë; më pas do të shkojë për një vizitë lutjeje në katedralen armene apostolike,
ku do të takohet me Patrikun Mesrob II. Pranë përfaqësisë papnore, Ati i Shenjtë do
të takohet me Metropolitin siro-ortodoks dhe me Rabinin e madh të Turqisë. Në mbrëmje-takimi
dhe darka me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Turqisë. Paraditen e së
premtes, 1 dhjetor, gjithnjë në Stamboll, Papa do të kremtojë Meshën në katedralen
e Shpirtit Shenjt, për të shkuar më pas në aeroport, prej nga do të niset në orën
13. 15 për të arritur në aeroportin romak të Çampinos në orën 14. 45.