2006-11-25 16:02:03

Lajme nga Kisha në botë


(26.11.2006 RV)RealAudioMP3 Mendojmë se qeveritë duhet të kujdesen për kufijtë e tyre, por pa shkelur të drejtat e njeriut, prandaj mund të themi se ngritja e mureve dhe zbatimi i masave çnjerëzore për të kontrolluar emigracionin, nuk na duket përgjigje e drejtë e as e përshtatshme për të përballuar një nga sfidat më të ndërlikuara të shekullit XXI. Këtë pohojnë ipeshkvijtë meksikanë në një Komunikatë, publikuar nga agjensia vatikanase Fides, në përfundim të Asamblesë së tyre plenare, gjatë punimeve të së cilës shprehën shqetësimin e thellë për fenomenin e emigracionit, por edhe për situatën e tensionuar në vend, pas zgjedhjeve të kohëve të fundit. Në Meksikë sundojnë trafikantët e drogës, që ushtrojnë dhunën, kryejnë krime të shëmtuara e krijojnë pasiguri të plotë shoqërore. Një klimë e tillë bëhet burim i konflikteve e krimeve të reja, prandaj ipeshkvijtë bëjnë thirrje që, në përpjekjen për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje, të mos ecet në rrugën e konfliktit, por të dialogut e të faljes.
Në Afrikë përhapja e SIDËS ka arritur në nivele alarmante; vetëm në zonën Sub-Sahariane numri i të prekurve nga sëmundja e tmerrshme ka arritur në 24, 5 milionë vetë, 6,1% e të cilëve, nga mosha 15 deri në 49 vjeç. E shqetësuar nga kjo gjendje, Konferenca ipeshkvnore e Afrikës dhe e Madagaskarit, në një mesazh për Ditën botërore të luftës kundër SIDËS, shpjegon se numri i të vdekurve nga sëmundja vijon të shtohet çdo ditë, duke marrë përmasat e një pandemie. Prandaj çdo njeri duhet ta ketë të qartë se për t’ia prerë hovin sëmundjes nuk mjaftojnë vetëm mjekimet; duhet rifituar thellësisht vetëdija mbi vlerat morale, me bindjen se problematikat shoqërore janë të pandara nga Ungjilli.
Sipas njoftimit të agjensisë AziaNjuz, Karitasi i Mosulit në Irak është detyruar të mbyllë dyert. Një vendim i tillë u muar pas kërcënimeve të vazhdueshme, shoqëruar me kërkesën për të financuar një grup islamik vendas. Kërcënimet arritën kulmin me rastin e leksionit të Papës në Regensburg, kur islamikët i kërkuan Karitasit miliona lekësh iraniane. Organizmi i Kishës katolike, i kërcënuar për vdekje, mundi t’u jepte fanatikëve vetëm 1 milion, duke marrë si shkëmbim kërcënime të tjera të papërballueshme. Prandaj edhe vendosi të mbyllë dyert, që rrinin ditë natë hapur për të pritur e përcjellur sidomos irakianët e pastrehë.
Kishat protestante dhe Kisha katolike në Pakistan, kanë vendosur të botojnë një Bibël ndërkonfesionale të përbashkët në gjuhën urdù. Për këtë, pak ditë më parë u nënshkrua një marrëveshje në frymën e Koncilit II të Vatikanit.
Mendohet që teksti të jetë gati pas pesë vjetësh. Më pas do të duhen edhe dhjetë vjet të tjera për ta rishikuar në aspektin teologjik e gjuhësor.
Në Francë gazeta katolike ‘La Croix” ka nisur të dalë me një format të ri. Kjo gazetë krejt e veçantë në panoramën e shtypit francez, ka fituar çmimin e madh për mediat për vitin 2005. Formati i ri sjell me vete edhe të reja të tjera: zgjërimin e faqes-shtesë “Fe e përshpirtëri” që del në fund të javës, një rubrikë të re kushtuar aktualitetit me titull “Thënë ndryshe” dhe botimin çdo ditë të një interviste të re. Përmirësime janë bërë edhe në botimin përmes kanalit të internetit, i cili po ndiqet gjithnjë më shumë nga lexuesit.
Pak ditë më parë, kryeipeshkvi i dioqezës së Nënës së Zotit në Moskë, imzot Tadeush Kondrusheviç, u takua me Metropolitin ortodoks të Smolenskut dhe të Kaliningradit, Kirill, drejtor i Departamentit për marrëdhëniet me jashtë të Patriakanës Ortodokse të Moskës. “Gatishmëria reciproke për të dialoguar e për të zgjidhur problemet që shkaktojnë dyshime e keqkuptime është inkurajuese”- komentoi, në përfundim të takimit, imzot Kondrusheviç. E kjo tregon – vijoi prelati - se nuk jemi të huaj në atdheun tonë, duke e pasur gjithnjë parasysh se veprimtaria ekumenike nuk është thjeshtë rrugë e zgjedhur nga disa personalitete fetare, por përmbushje e vullnetit të Krishtit për bashkimin e të krishterëve”.
Në Poso të Indonezisë, prindërit e tri vajzave të krishtera, të cilave iu pre koka në vitin 2005, i falën publikisht të dënuarit për pjesëmarrje në vrasjen barbare të bijave të tyre.
Prindërit u takuan, të martën e kaluar, me të dënuarit, të akuzuar si bashkëpunëtor në vrasje, për të përhapur tmerr e frikë ndërmjet njerëzve. Militantët islamikë, të penduar thellë për krimin, u përqafuan me prindërit e vajzave dhe shkëmbyen një shenjë paqeje. Takimi, pa asnjë qëllim politik, dëshmoi se fryma e harmonisë në vend nuk është e pamundur.
“Nuk mund të mos duhet jeta: është pasuria më e çmuar për çdo njeri. Jeta njerëzore mund e duhet dhuruar për dashuri, e në këtë dhurim, gjen kuptimin e vet të plotë; por nuk duhet nënvleftësuar kurrë e sidomos, nuk duhet shkatërruar për asnjë arsye". Ky është thelbi i Mesazhit të Konferencës ipeshkvnore italiane për ditën e 29- të të jetës, që do të kremtohet më 4 shkurtin e ardhshëm..







 

 

  







All the contents on this site are copyrighted ©.