2006-11-24 18:56:29

Vizta e Papës në Turqi e blinduar. Flet kardinali Roberto Tucci.


(24.11.06 RV) RealAudioMP3 Pati jehonë të madhe intervista e kryeministrit turk Erdogan, dhënë emisionit “Porta a Porta” në kanalin e parë të radiotelevizionit italian. Pavarësisht se nuk do ta takojë Papën Benedikti XVI, gjatë vizitës së javës së ardhshme në Turqi, Erdogan i uroi atij mirëseardhjen, duke kërkuar respektimin e plotë të identitetit fetar të popullit turk.
Edhe Nunci Apostolik në Turqi, megjithë sulmin kundër kishës së Shën Sofisë në Stamboll nga ekstremistë islamikë, nënvizon në një intervistë për agjensinë italiane të lajmeve ANSA, se qeveria dhe presidenca turke e vlerësojnë shumë vendimin e Atit të Shenjtë për të shkuar në Turqi, siç dihet nga data 28 deri më 30 nëntor.
“Një vizitë që bën pjesë në vargun e vizitave të mëparshme: ajo e papës Pali VI në vitin 1967 dhe ajo e Gjon Palit II në vitin 1979 – nënvizon Nunci – e që ka si mision kryesor dialogun, si atë ekumenik, ashtu edhe atë ndërfetar. Turqia, tokë ndërmjet dy botëve, mund të jetë tharmi i këtij dialogu”.
Duke parashikuar se do të zhvillohen protesta nga partitë radikale kundër vizitës së Papës Benedikti XVI, kreu i policisë turke siguroi se do të merren të gjitha masat për të garantuar zhvillimin e qetë të programit papnor. Kështu mendon edhe kardinali Robert Tuçi, për vite me radhë organizator i udhëtimeve papnore, i cili në vitin 1979, si drejtor i atëhershëm i Radio Vatikanit, shoqëroi Papën Gjon Pali II në Turqi:
Duhet të kemi parasysh se vendi është nën mbrojtjen e ushtarakëve dhe Evropa nuk duhet të harrojë se ushtarakët vazhdojnë të ushtrojnë një ndikim të madh në vend. Ajo që harrojmë është se ushtarakët janë garantë të laicitetit të shtetit dhe një kështjellë e domosdoshme në kushtet aktuale të Lindjes së Mesme, kundër përhapjes së fondamentalizmit islamik. Turqia pra, është një vend ku siguria do të garantohet në maksimum. Edhe vizita e Gjon Palit II qe me të vërtetë e blinduar e gjithçka shkoi si duhej të shkonte. Programi ishte gati identik me atë të Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.