2006-11-24 18:52:01

Benedikti XVI Kisha katolike është afër njerëzve me sëmundje ngjitëse.


(24.11.2006 RV)RealAudioMP3 “Qeveritarët e vendeve të ndryshme e kanë për detyrë t’i asistojnë njerëzit e prekur nga sëmundje të rënda si SIDA, malaria ose tuberkulozi. Ndihma është pjesë përbërëse e drejtësisë shoqërore, në një botë të ndarë në dy pjesë, ku disa mund të mjekohen, ndërsa të tjerët nuk e kanë këtë mundësi”. Këtë u kujtoi sot paradite Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare mbi sëmundjet ngjitëse, që vijon punimet në Vatikan. 500 specialistëve, ardhur nga dhjetra vende të botës, ftuar nga Këshilli Papnor për baritorinë e shëndetit, Papa u paraqiti figurën e Krishtit që shëron të gërbulurit, si model nga i cili duhet të frymëzohen për t’u mbrojtur të sëmurëve jo vetëm shëndetin, por edhe dinjitetin.
Nga njëra anë, sëmundje që shkatërrojnë trupin e lënë në të shënja të neveritshme. Nga ana tjetër, dymijë vjet shërbimi të krishterë, nga Jezusi tek Nënë Tereza, pa harruar Shën Françeskun e Asizit e mijëra figura të jashtzakonshme, ofruar viktimave të këtyre sëmundjeve, duke u siguruar mjekimet e përshtatshme e ngushëllimin shpirtëror. Benedikti XVI kujtoi, përmes veprimtarisë së disa shenjtorëve, shërbimin e Kishës në ndihmë të të sëmurëve edhe në rastet më dramatike, ngarkuar me dhimbje e frikë. Viruse të vjetra e të reja – që quhen SIDA ose gërbulë, murtajë ose turberkuloz – vijojnë të na kujtojnë kufijtë e pashmangshëm të jetës njerëzore. E megjithatë, pohoi Papa:
“Impenjimi njerëzor nuk duhet të dorëzohet kurrë në përpjekjen për të kërkuar mjete e mundësi ndërhyrjeje sa më të suksesshme për t’i luftuar këto sëmundje e për të kufizuar pasojat që kanë mbi viktimat. Aradhe burrash e grash kanë vënë, në të kaluarën, në shërbim të të sëmurëve me patologji të neveritshme, aftësitë e tyre e fisnikërinë e shpirtit të tyre. Por nismave të tilla kaq të lavdërueshme e gjesteve të tilla të dashurisë së krishterë, për fat të keq u kundërvihen jo pak padrejtësi. E si mund t’i harrojmë njerëzit e shumtë që vuajnë nga sëmundje ngjitëse, të cilët detyrohen të jetojnë të izoluar e, nganjëherë, edhe të shënuar me një damkë poshtëruese? Situata të tilla të dënueshme bëhen edhe më të rënda për shkak të pabarazisë së kushteve shoqërore-ekonomike ndërmjet Veriut e Jugut të botës”.
E këtyre situatave – vijoi Benedikti XVI - duhet t’u përgjigjemi me veprimtari konkrete, që e ndihmojnë të sëmurin, e bëjnë më të ndjeshëm ungjillëzimin e kulturës dhe i nxisin qeveritë për hartimin e programeve ekonomike e politike në ndihmë të të sëmurëve e në parandalimin e sëmundjeve. Është një përgjegjësi e cila, duke marrë shembull nga Jezusi, i ka shtyrë gjithnjë të krishterët t’i afrohen njeriut të vuajtur me një stil që, duke buruar nga Ungjilli, shikon më parë njeriun, pastaj sëmundjen nga e cila vuan:
“Kjo traditë e pasur e Kishës katolike duhet mbajtur gjallë në mënyrë që, përmes ushtrimit të dashurisë së krishterë ndaj atij që vuan, të bëhen të dukshme vlerat, të cilat frymëzohen nga dashuria e vërtetë për njeriun e nga Ungjilli: dinjiteti i njeriut, mëshira, njëjtësimi i Krishtit me të sëmurin. Çdo ndihmë është e pamjaftueshme, në se në të nuk ndjehet dashuria për njeriun, dashuri që ushqehet nga takimi me Krishtin”. Si foli për rëndësinë e bashkëpunimit me instancat e ndryshme publike, Papa përfundoi duke uruar që të zbatohet drejtësia shoqërore në një sektor kaq delikat, siç është asistenca e njerëzve të prekur nga sëmundjet ngjitëse. Benedikti XVI theksoi përdorimin e barabartë të burimeve për kërkimet shkencore dhe për mjekimet e këtyre sëmundjeve, pa harruar se për të fituar mbi to, është e nevojshme në radhë të parë, të krijohen kushte jetese, që frenojnë shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.