2006-11-23 17:09:35

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë. “Besa-Fede”.


(23.11.2006 RV) Me rastin e Festës kombëtare të shqiptarëve, Rrethi italo-shqiptar i kulturës “Besa- Fede” organizon të shtunën, më 25 nëntor 2006, në orën 17. 30, në sallën e konferencave ’Via dei Greci 46, Romë’, paraqitjen e “Fjalorit biobibliografik të italo - shqiptarëve” nga Pietro de Leo, profesor i historisë pranë Universitetit të Kalabrisë.
Fjalori sapo është botuar nga Shtëpia botuese Brener e Kozencës në kolanën “Biblioteka e shqiptarëve”.
Pastaj, sipas traditës, të dielën, më 26 nëntor, në orën 10. 30 në Kishën e Shën Athanasit (Via del Babuino 149) do të kremtohet “Liturgjia hyjnore e Shën Gjon Krizostomit në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporën e vjetër e të re.
Dy fjalë për Fjalorit biobibliografik të italo-shqiptarëve”
Në kolanën “Biblioteka e Shqiptarëve të Italisë” u publikua një vëllim i çmuar, kushtuar personaliteteve arbëreshe që janë dalluar në ndonjërën nga disiplinat kulturore: latrare, historiografike, shkencore, muzikore, folklorike, fetare e ushtarake.
Fjalori, me 308 faqe, është fryt i një pune të heshtur 30 vjeçare, gjatë së cilës u mblodhën të dhënat përmes shfletimit të librave, revistave, shënimeve bibliografike dhe takimeve e këshillimeve personale. Autor i kësaj pune, sa të vështirë, aq edhe të nevojshme, është profesor Gjovani La Viola, studiues tejet i zellshëm e i kujdesshëm i historisë, autor i shumë botimeve në fushën e fenomeneve e të ngjarjeve më të rëndësishme kalabreze e italo-shqiptare. Ka lindur në Spexano-Albaneze më 3 shtator 1915 e jeton në Trebisaçe. Me Fjalorin e tij të çmuar dëshiron të shprehë nderimin për të parët dhe për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre në mbrojtjen e promovimin e Bashkësisë shqiptare në Itali, që nga Abruco në Siceli. Për çdo personalitet që përfshihet në fjalor, jepen të dhënat kryesore biografike e shënimet për veprimtarinë; posaçërisht të dhënat bibliografike si dhe gjykimet e të tjerëve mbi veprën. Pavarësisht nga mangësitë, që nuk mund të mos i kishte një vepër me shtrirje të tillë, të gjithë shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës autorit për këtë përmbledhje të dokumentuar të aventurës italo-arëbëreshe.







All the contents on this site are copyrighted ©.