Takim historik e vëllazëror i Papës Benedikti XVI me Primatin anglikan, kryeipeshkvin
e Kanterbërit, Uilliams, të cilët nënshkruan një Deklaratë të përbashkët sot në Vatikan.
(23.11.2006 RV)Në takimin e sotëm
me kryeipeshkvin Uiljams, Benedikti XVI foli fjalë falënderimi për gjithçka pozitive
që është jetuar gjatë 40-vjetëve, që nga takimi i Palit VI me kryeipeshkvin Ramsej,
i cili shënoi rifillimin e dialogut të ndërprerë prej shekujsh. E pastaj iu kushtua
vëmendje e veçantë zhvillimeve të fundit dhe rrugëve të reja që mund të bëjë Bashkësia
anglikane në të ardhmen e afërt, me vetëdijen se shumë ndikime negative e presione
rëndojnë mbi të krishterët dhe mbi bashkësitë e krishtera, posaçërisht në botën e
shekullarizuar perëndimore. Benedikti XVI uroi të arrihet bashkimi i plotë e i
dukshëm dhe nënvizoi se duhet falënderuar Zoti për hapat e bëra, duke kujtuar marrëdhëniet
miqësore ndërmjet anglikanëve e katolikëve në shumë vende, gjë që ka krijuar rrethana
të reja bashkëpunimi. E Papa më pas foli edhe për vështirësitë: “OVER THE LAST
THREE YERS YOU HAVE SPOKEN OPENLY…” “Në tre vitet e fundit – deklaroi Ati i Shenjtë
– është folur haptazi për tensionet dhe vështirësitë në mjediset e Bashkimit anglikan.
Më pas kujtoi zhvillimet e kohëve të fundit, posaçërish lidhur me ministerin ipeshkvnor
dhe disa mësime morale që – pohoi Papa – prekin marrëdhëniet e brëndshme të botës
anglikane, por edhe marrëdhëniet me Kishën katolike. Papa nënvizoi se rrugët që
do të zgjedhë Bashkësia anglikane, do të kenë rëndësi jetike për çështjet e brëndshme
që po diskutohen aktualisht e sidomos, për predikimin e plotë të Ungjillit. “YOUR
CURRENT DISCUSSIONS WILL SHAPE THE FUTURE OF OUR RELATIONS…” Më pas shtoi se do
t’i japin formën edhe ardhmërisë së marrëdhënieve me katolikët. Në përfundim, ftesa
për vijimin e dialogut, me vetëdijen se bota ka nevojë për dëshminë e përbashkët e
për forcën që buron nga shpallja pa përçarje e Ungjillit. Përsa i përket fjalimit
të Primatit, theksojmë sidomos pohimin: “ONLY A FIRM FOUNDATION OF FRIENDSHIP IN
CHRIST WILL ENABLE US…” Vetëm një bazë e sigurtë miqësie do të na krijojë kushte
për të qenë të ndershëm me njëri-tjetrin përsa i përket vështirësive – pohoi Primati
anglikan - i cili në vijim falënderoi Selinë e Shën Pjetrit për organizimin e këtij
takimi dhe kujtoi një hollësi domethënëse: “Unaza që mbaj në gisht – pohoi Primati
anglikan – është ajo që Pali VI I pati dorëzuar kryeipeshkvit Ramsej, ndërsa Kryqi,
ai që më dhuroi Gjon Pali II. Janë dy simbole që flasin qartë për impenjimin e punës
së përbashkët në rrugën e bashkimit të gjithë të krishterëve. Primati nënvizoi edhe
se ka ardhur me shpirt vëllazëror e kujtoi se është prekur thellësisht nga fjalët
e Benediktit XVI në fillim të papnisë lidhur me rëndësinë ekumenizmit. Më pas u
nënshkrua Deklarata e përbashkët, në të cilën kujtohet takimi historik i Palit VI
me kryeipeshkvin Majkëll Ramsej e më pas pohohet se ka shumë zona dëshmie e shërbimi
në të cilat katolikët e anglikanët mund të punojnë gjithnjë më të bashkuar, si impenjimi
për Tokën Shenjte e kundër kërcënimit të terrorizmit. Ekumenizmi i vërtetë – lexohet
në Deklaratë - i kapërcen kufijtë e dialogut teologjik: përshkon jetët shpirtërore
dhe dëshminë e përbashkët. Jemi të vëtëdijshëm – lexohet në përfundim të Deklaratës
- se bashkimi aktual është real, por jo i përkryer. Gjatë 40-vjetëve dialogu ekumenik
ndërmjet katolikëve e anglikanëve ka pasur zhvillime pozitive, por ka hasur edhe vështirësi
të reja. Ndokush ka folur edhe për një farë krize të këtij dialogu. Për këtë intervistuam
vetë Primatin anglikan, Rouan Uiljams, në mikrofonin e Radios sonë: Përgjigje:
- Nuk mund të them se është krizë. Them - ashtu siç ka thënë ndonjë herë kardinali
Murfi O’Konorr – se është realizuar një lloj platforme. E kalova paraditen duke menduar
për të ardhmen e dialogut tonë. Sqaruam sa më mirë që mundem se nuk ekziston asnjë
lloj ndërprerjeje e procesit të dialogut e se shpresat nuk janë zbehur. Prandaj nuk
besoj se mund të flitet për krizë; jemi përballë sfidave, por më duket se po ecim
përpara në dialog me entuziazëm të madh. Pyetje: - E megjithatë, shumë njerëz
kanë përshtypjen se entuziazmi i madh, i lindur menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit,
mungon disi në marrëdhëniet aktuale. Si mund të rifitohet kjo frymë pozitive? Përgjigje:
- Mendoj se në gjurmët e Koncilit, shpresat e para kanë qenë ndoshta tepër të
mëdha: është shpresuar për bashkimin e dukshëm gjatë jetës sonë, gjë që ndoshta nuk
do të realizohet. Mendoj, prandaj, për entuziazmin që duhet të rifitojmë në dy fusha:
së pari, në ekumenizmin themelor, dmth në gjetjen e identitetit të përbashkët përballë
kulturës së shekullarizuar që na rrethon; e së dyti,në përpjekjen për të kuptuar më
thellë ç’mund të bëjmë praktikisht për t’iu përgjigjur nevojave të botës, si mund
t’i shfrytëzojmë burimet tona për të përballuar krizën e njerëzimit në ditët tona.
E kjo mjafton për ta rifituar entuziazmin! Pyetje: - Duke menduar për pengesat
që ekzistojnë në këtë dialog, kujtojmë njërën, brënda Kishës anglikane, e pikërisht
shugurimin ipeshkvnor të grave: në fillim të këtij viti kardinali Kasper ka thënë
se një vendim i tillë do të krijonte një pengesë të pakapërcyeshme në kërkimin e
bashkimit të plotë,…Përgjigje: - E njohim këtë pengesë dhe e konsiderojmë shumë
serioze. Njëkohësisht, në Kishën e Anglisë po vijojmë një proces reflektimi teologjik
me afate të gjata mbi këtë argument. Pra, ka rëndësi të vijojmë reflektimin. E pastaj
çfarëdo vendimi të merret, e mendoj se kardinali Kasper do të jetë dakord - ne e kemi
një gjuhë të përbashkët, me të cilën mund të diskutojmë, gjuhë e cila bazohet mbi
marrëveshjet që tashmë janë realitet.