2006-11-23 17:09:46

Kalendari historik i 23 nëntorit përkujton kompozitorët Lorenc Antoni e Pjetër Dugu dhe gjuhëtarin Bernard Bilota.


(23.11.2006 RV) Më 23 nëntor 1909 lindi në Kosovë Lorenc Antoni, kompozitor, dirigjent, muzikolog e pedagog, pionier i muzikës kosovare. U muar me mbledhjen e këngëve popullore; hapi më 1948 në Prizrend shkollën e parë muzikore të Kosovës dhe realizoi 200 krijime origjinale në muzikë, krahas studimeve shkencore në këtë fushë. Vdiq më 1991.
Më 23 nëntor 1989 vdiq në Durrës kompozitori Pjetër Dungu. Që fëmijë u muar me muzikë; pas '44-tës formoi në Durrës orkestrën frymore dhe për një kohë të gjatë ishte drejtuesi i saj dhe i ansamblit artistik "Durrësi", ndërkohë kompozoi shumë marshe, fantazi, arie, kantata, suita, opereta (Miqësia; Rrjeta e artë, ) mjaft romanca, këngë të muzikës së lehtë. Është autor i përmbledhjes “Lyra shqiptare”(1940).
Ai mund të quhet profet i kthimit të Zotit në Shqipëri: ndërsa mbyllte sytë, i la si trashëgim Kishës katolike, për shumkënd të mbyllur pa shpresë rihapjeje, pianon e tij, me amanetin që në tastierën e saj, ku s'luanin më gishtat e vdekur të të zot, të interpretohej muzika e meshës së parë, që do të kremtonte rikthimin e Zotit. Ishte viti 1989, hapja e kishave dukej e largët në mos po e pamundur. Po nuk do të kalonte më shumë se një vit e në Shkodër do të kremtohej, krejt papritur, mesha e parë. Në atë meshë pianoja e dhuruar nuk mundi të shkonte. Ishte tepër shpejt. Por trashëgimtarët bën çmos ta plotësonin sa më parë amanetin, ta nisnin pianon drejt Shkodrës, ku pati mësuar artin e pavdekshëm të muzikës e sidomos, besimin e patundur në fitoren përfundimtare të Zotit, muzikanti e laiku i madh katolik..Më 23 nëntor 1843 lindi në Kozencë Bernard Bilota, gjuhëtar, poet, folklorist e studues arbëresh. Qe nismëtar i dy kongreseve gjuhësore arbëreshe dhe pati krijimtari të pasur letrare e studimore. Përmendim "Mërkuri i dorësit", "E bukura e jetës", "Shpata e Skëndërbeut ndë Dibrit Poshtë"; "Fjalor fjalësh dhe e folmja e vendlindjes", etj. Vdiq në vitin 1918.







All the contents on this site are copyrighted ©.