2006-11-22 15:52:43

Thirrje e Papës për paqe në Liban në audiencën e përgjithshme, e fundmja kushtuar figurës së Shën Palit.


(22.11.2006 RV)RealAudioMP3 Në audiencën e sotme përgjithshme Papa u drejtoi një thirrje të fuqishshme gjithë libanezëve që të mos lejojnë të fitojë urrejtja, por të forcojnë drejtësinë e pajtimin, në emër të së ardhmes paqësore. Shtytjen për këtë thirrje Ati i Shenjtë e mori nga vrasja në Beirut e ministrit libanez të industrisë, Pierr Gemaiel, udhëheqës i partisë kristiano-maronite, duke iu drejtuar 50 mijë besimtarëve, që e kishin shndërruar Sheshin e Shën Pjetrit në një qilim shumngjyrësh çadrash, për shak të shiut të rrëmbyer që nisi të bjerë pa filluar ende audienca e përgjithshme e së mërkurës. E kjo i dha shkas Papës t’u drejtohej të pranishëmve me fjalët, natyrisht jashtë tekstit zyrtar: “Shpresojmë se Zoti do të bëjë të pushojë shiu”. Grupi më i madh i pranishëm ishte ai i besimtarëve të ardhur nga dioqezat italiane e Abruceve e Molises, ipeshkvijtë e të cilave pikërisht këto ditë janë në Romë për vizitën e tyre ‘ad Limina’. Papa arriti në Sheshin e Shën Pjetrit me një makinë të zbuluar. Figura e tij e bardhë, pa ombrellë, në sa shiu vijonte rrëmbyeshëm, u la një mbresë të thellë besimtarëve, të cilët e pritën me duartrokitje të stuhishme e me brohoritje.
E Papa shprehu dhimbjen e thellë për vdekjen e Pierr Gemaielit, duke theksuar:
“Nësa dënoj ashpër një atentat të tillë mizor, siguroj se lutem e ndjehem shpirtërisht pranë familjes në zi dhe popullit libanez. Përballë forcave të errëta që duan ta shkatërrojnë vendin, i ftoj të gjithë libanezët të mos lejojnë të fitojë urrejtja por të fuqizojnë unitetin kombëtar, drejtësinë e pajtimin dhe të punojnë së bashku për ndërtimin e një ardhmërie paqësore. I ftoj, së fundi, udhëheqësit e vendeve që i kanë për zemër fatet e kësaj zone, të japin ndihmesën e tyre për një rrugëzgjidhje globale, e cila i jep fund situatave të padrejtësisë që vërehen prej vitesh”.
Në katekizmin e audiencës së sotme, Papa mori simbolikisht udhën e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar lidhjen mistike që bashkon Krishtin me Kishën. Apostulli i ardhshëm – shpjegoi Benedikti XVI – nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.
“Kështu arriti tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës të Kishës e gjejmë tek sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.
Prandaj Apostulli i Popujve – vijoi Benedikti XVI - nuk i deshi kishat që themeloi, të ftohta e burokratike, por plot ndjenjë e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt”:
“Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi. Gjetiu Pali mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt, që është burim energjie e gjallërie përherë të re”.
Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit. Mbledhjet tona liturgjike duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj – shtoi Papa – sa e madhe është dëshira për ta realizuar atë që uron Shën Pali.
Në fund të audiencës Ati i Shenjtë përshëndeti grupet e ndryshme në shumë gjuhë dhe i ftoi të kujtojnë figurën e Krishtit Mbret, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, festë me të cilën përfundon Koha e zakonshme liturgjike, për t’i hapur rrugën Kohës së Ardhjes.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.