2006-11-22 19:33:52

Izraeli e shtrin veprimin në Rripin e Gazës; Më shumë të vdekur në tetor në Irak, sipas OKB-së e lajme të tjera.


(22.11.06 RV) Kabineti izraelit i sigurisë ka autorizuar vrasje me paramendim dhe sulme kundër institucioneve të organizatës palestineze Hamas në Rripin e Gazës. Gjithashtu i ka besuar ushtrisë detyrën për të hartuar një plan të gjerë veprimi në territorin nga i cili Izraeli u tërhoq vitin e kaluar. Plani do të miratohet më vonë nga Këshilli i Ministrave. Ndërkaq, pas lirimit të dy italianëve, veprimtarë të Kryqit të Kuq, presidenti palestinez Abu Mazen u kërkoi falje atyre dhe popullit të Italisë për ngjarjen. Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njofton se nuk do të largohet nga Rripi i Gazës.

OKB-ja bën të ditura shifrat e viktimave në Irak, nga të cilat zbulohet se numri i të vrarëve gjatë tetorit ka arritur një rekord të ri të trishtuar: 3.709 vetë kanë humbur jetën gjatë muajit në krahasim me 3.345 të shtatorit. Personat që janë larguar nga vendi që nga fillimi i ndërhyrjes amerikane janë 2 milion, shton OKB-ja. Bagdadi është epiqendra e dhunës: 5000 vetë janë vrarë ndërmjet shtatorit e tetorit e shumë prej tyre kishin në trup shenja torture. E ka edhe situata si ajo e Mosulit, ku kërkesat e vazhdueshme për të paguar një grup islamik lokal e kanë detyruar Karitasin të mbyllë dyert. Ndërkaq, Britania e Madhe deklaron se brenda pranverës së ardhshme, ka mundësi t’ua transferojë forcave të sigurisë irakiane kontrollin e Basrës.

Dje, Iraku dhe Siria lidhën marrëdhënie të plota dipllomatike, pas 25 vjetësh. Presidenti irakian Talabani do të shkojë të shtunën për vizitë në Iran, plot shpresë për influencën që mund të ketë Teherani mbi shiitët e Irakut e pra edhe mbi paqtimin e vendit.

Pas krizës së korrikut të kaluar, Hollanda voton sot për rinovimin e 150 vendeve në parlament. 12 milion hollandezët duhet të japin votën e tyre në zgjedhje të parakohshme, pasi koalicioni i djathë hyri në krizë. Për momentin sondazhit japin si fitimtare partinë kristiano-sociale të kryeministrit Balkenende, por për të formuar qeverinë do t’i duhet një koalicion. Flitet për një ekzekutiv ku të marrin pjesë demokristianët dhe laburistët, dy grupe që kanë qeverisur sëbashku edhe në të kaluarën.







All the contents on this site are copyrighted ©.