2006-11-22 18:15:11

"Forca të errta" vranë ministrin libanez. Rrezik kaosi politik.


(22.11.06 RV)RealAudioMP3 Indinjatë në Liban dhe në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare për vrasjen e ministrit të krishterë libanez, Xhemajel.
Fjalët e Papës sot paradite në audiencën e përgjithshme e kanë pikturuar me besnikëri situatën e vështirë që po përjeton Libani. “Forcat e errta”, që përmendi Ati i Shenjtë, kanë vepruar pa u shqetësuar. Një grup prej tri vetësh u përplas në mes të ditës, në mes të Bejrutit, me makinën e ministrit të ri të Industrisë, Pierr Xhemajel, duke hapur zjarr mbi të e mbi rojet. Një vrasje, që ndodhi pikërisht në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së formoi Gjykatën penale ndërkombëtare për procesin e vrasjes së ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri, edhe ai i vrarë me atentat në Bejrut, më 14 shkurt 2005.
Sot paradite, trupi pa jetë i ministrit u transferua në Bifkaja, qyteti i tij i origjinës, ku u prit nga një turmë e jashtëzakonshme përkrahësish. I ati i Pierit, ish-presidenti libanez Amin Xhemajel i kërkoi turmës të qetësohej dhe premtoi se vrasësit e të birit nuk do të mbeten pa u dënuar. Fjalët e sotme të Papës Benedikti XVI komentohen në mikrofonin tonë nga gazetari libanez, Kamil Eid, i gazetës kishtare “Avvenire”:
Përkufizimi “forca të errta”, siç tha shumë mirë Papa, tregon se të gjithë vrasësit, që nga ai i Haririt, në shkurtin e vitit të kaluar, deri tek i djeshmi, asnjë përgjegjës nuk është kapur. Është e vërtetë se shumë tregojnë me gisht Sirinë, e pranishme në Liban deri vitin e kaluar, por asnjë ekzekutues apo dërgues nuk është arrestuar e çuar para gjyqit. Prandaj, “forca të errta”, edhe për këtë arësye.
Pse objektivi i këtyre forcave ka qenë pikërisht ministri Xhemajel?
Sepse qëllimi është të bjerë qeveria. Tashmë kemi 6 ministra që kanë dhënë dorëheqjen, Ministri i Brendshëm është zëvendësuar me një ministër të përkohshëm, e tani u vra një tjetër: arrijmë kështu në 8 ministra të eliminuar ndër 24. Nëse arrijmë në 9 ministra ndër 24, qeveria automatikisht konsiderohet se ka dhënë dorëheqjen.
Me rënien e qeverisë, cili është skenari që hapet para vendit?
Do të kishim kaos institucional, sepse në këtë mënyrë, presidenca e Republikës dhe ajo e parlamentit janë në dorën e forcave pro Sirisë, ndërsa qeveria, e cila është institucioni i vetëm në duart e shumicës antisiriane, natyrisht do të lihej mënjanë. Kjo do t’u hapte rrugën të gjitha hipotezave, ndër të cilat ajo e konfuzionit dhe kaosit politik.







All the contents on this site are copyrighted ©.