2006-11-20 16:48:00

Takim i Benediktit XVI me presidentin Napolitano në Vatikan.


(20.11.2006 RV)Ishte një takim, gjatë të cilit u nënvizua përsëri lidhja e posaçme ndërmjet Italisë dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit: me këtë frymë u zhvillua sot paradite vizita e presidentit të Republikës italiane, Napolitano, në Vatikan. Presidenti italian, i shoqëruar nga bashkëshortja, Klio dhe nga një grup personalitetesh, pas takimit me Papën bisedoi edhe me kardinalin Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Benedikti XVI theksoi se liria fetare nuk i cënon të drejtat e Shtetit dhe kërkoi të drejta të barabarta për besimtarët laikë që impenjohen në veprimtari për të mirën e shoqërisë.
“Kisha dhe shteti – tha Papa – ndonëse plotësisht të ndryshëm, janë të thirrur, sipas misionit përkatës, me qëllimet dhe mjetet e tyre, t’i shërbejnë njeriut, i cili është njëkohësisht marrës e pjesëmarrës i misionit shëlbues të Kishës dhe qytetar i Shtetit. E pikërisht tek njeriu këto dy shoqëri takohen e bashkëpunojnë për të promovuar të mirën e përgjithshme”.
Më pas Ati i Shenjtë nënvizoi:
“Liria që kërkojnë Kisha e të krishterët, nuk i cënon interesat e shtetit ose të grupeve të tjera shoqërore e nuk synon të sigurojë epërsi shtetërore mbi ta. Kisha kërkon vetëm t’i sigurohen kushtet e përshtatshme për të kryer shërbimin e saj të çmuar, si në Itali, ashtu edhe në vendet tjera, ku është e pranishme”.
Në një notë, publikuar në orët e vona të paradites së sotme nga Salla e Shtypit e Vatikanit, nënvizohet: “Gjatë bisedimeve u ripohua se duke respektuar të drejtën e lirisë fetare dhe të autonomisë së bashkësisë kishtare e civile, si dhe bashkëpunimin e anasjelltë, katolikët italianë do të vijojnë të japin kontributin e tyre në favor të dinjitetit të njeriut, të mbrojtjes së jetës e të familjes si dhe të së mirës së përbashkët të shoqërisë.
Takimet – shton nota e Sallës së shtypit - krijuan mundësitë të shqyrtohen disa aspekte të jetës ndërkombëtare, me një vështrim të veçantë mbi situatën në Lindjen e Mesme, mbi perspektivat e procesit të bashkimit evropian dhe mbi problemet e rënda të Kontinentit afrikan. Selia e Shenjtë dhe Italia – thekson Salla e Shtypit - do të vijojnë të bashkëpunojnë për funksionimin më të mirë të institucioneve ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.