2006-11-20 16:49:41

Kuvendet dhe eremitazhet e klauzurës janë të domosdoshme për njeriun e sotëm, ashtu si ‘mushkëritë’ e blerta të një qyteti: u bëjnë mirë të gjithëve. Këtë theksoi Benedikti XVI dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot.


(20.11.2006 RV) Papa foli dje për vlerën e lutjes në heshtje e në fshehtësi, me rastin e Ditës ‘pro Orantibus’, kushtuar kujtimit të bashkësive rregulltare të klauzurës, që ia kushtojnë gjithë jetën lutjes në kuvendet e tyre vetmitare. Kjo ditë do të kremtohet nesër, njëherësh me përkujtimin e Paraqitjes së Marisë në Tempull. Dhjetra-mijëra besimtarë e turistë ishin të pranishëm dje në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga rrezet e ngrohta të diellit që të kujtonte më shumë një mbarim pranvere se sa fundin e vjeshtës së dytë.
Kuvendet dhe vetmitoret e klauzurës u bëjnë mirë të gjithëve – shpjegoi Benedikti XVI, duke i nxitur besimtarët ta falënderojnë Zotin për dhuratën e njerëzve të shumtë, të cilët i kushtohen plotësisht Zotit në lutje, heshtje e fshehje. Por ndokush pyet – vijoi Papa – ç’kuptim e ç’vlerë mund të ketë prania e tyre në kohën tonë, përballë situatave të shumta e urgjente të varfërisë e të mjerimit?
Pse ‘të mbyllen’ përgjithmonë ndërmjet mureve të një manastiri e t’i lënë të tjerët pa ndihmesën e aftësive e përvojave të fituara? Ç’fryt mund të ketë lutja e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta konkrete, që vijojnë ta trondisin njerëzimin”.
E pra jeta tregon - vërejti Ati i Shenjtë – se shumë njerëz, duke i çuditur miqtë e dashamirët, braktisin karrierat profesionale shpesh premtuese, për të ndjekur rregullin e manastirit të klauzurës:
“Ç’ gjë tjetër i shtyn të bëjnë një hap kaq impenjativ, veç faktit se e kanë kuptuar që, siç mëson Ungjilli, Mbretëria e qiellit është ‘thesar’ për të cilin ia vlen të braktisësh gjithçka?”.
Në se Shën Tereza e Avilës shkruante “Gjithçka kalon, po Zoti nuk ndryshon”, këta vëllezër e motra dëshmojnë – shtoi Benedikti XVI – se në mes të ngjarjeve të përditshme, nganjëherë edhe të ethshme, e vetmja mbështetje që nuk lëkundet kurrë, është Zoti, shkëmbi i pathyeshëm i besnikërisë dhe i dashurisë. E ja se përballë nevojës që kanë shumë njerëz për të shpëtuar nga rutina e përditshme e qyteteve të mëdha, në kërkim të hapësirave të volitshme për heshtje e meditim, kuvendet e jetës kundruese u ofrohen si oaza në të cilat njeriu, shtegtar mbi tokë, mund të shuajë më mirë etjen në burimet e Shpirtit.
“Prandaj këto vende, në dukje të panevojshme, janë në të vërtetë të domosdoshme, si mushkëritë e blerta të një qyteti: u bëjnë mirë të gjithëve, edhe atyre që nuk i shkelin kurrë ose që nuk e dinë fare se ekzistojnë”.
Prej këndej Papa kërkoi që këtyre bashkësive të mos u mungojë kurrë ndihma shpirtërore e materiale.
Së fundi Benedikti XVI, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi posaçërisht viktimat e aksidenteve në rrugë dhe familjet e tyre, në sa dje kremtohej Dita botërore kushtuar këtij realiteti dramatik.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.